Reshjet intensive të shiut kanë përmirësuar kuotat në kaskadën e Drinit. Të dhënat e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare tregojnë se vetëm në 3 ditë niveli i ujit ka pësuar një rritje me të paktën 4 metra.
Aktualisht në Fierzë niveli ka arritur në 270,6 metra e cila është një kuotë pranë mesatares historike të viteve të fundit. Edhe në Koman niveli është përmirësuar duke arritur në 173 metra ndërsa Vau i dejës 74 metra.
Edhe prurjet vijojnë që të shtohen si pasojë e reshjeve por edhe nisjes së shkrirjes së borës nga rritja e temperaturave. Për të krijuar rezervë energjitike Korporata Elektro- Energjitike ka ndërprerë prodhimin e energjisë në Fierzë dhe aktualisht po prodhon vetëm në Koman dhe në Vaun e Dejës.
Në total në vend po prodhohet 5.469 MWh energji elektrike ndërkohë që pjesa tjetër për të cilën ka nevojë vendi po importohet.
Aktualisht çmimi i energjisë në bursë ka pësuar një trajektore të lehtë rënëse.
Reshjet e shiut parashikohen që të vijojnë edhe në ditët në vijim duke e përmirësuar edhe më tej situatën. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se vendi është në një krizë energjitike ndërsa është hedhur ideja e prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet dy anijeve termocentrale.