Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk e shkarkoi kreun e shtetit Ilir Meta dhe rrëzoi vendimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Përmes një deklarate për mediat, postuar në rrjetet sociale, ambasada amerikane në Tiranë thotë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka treguar aftësi për të qëndruar mbi palët politike.
“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila u bë funksionale në dhjetor të vitit 2020, po demonstron aftësinë për të përmbushur funksionin e saj parësor dhe thelbësor duke shqyrtuar faktet dhe argumentet e paraqitura nga palët përkatëse, duke diskutuar mbi këto fakte dhe argumente në bazë të Kushtetutës dhe duke dhënë vendime që pasqyrojnë pavarësi dhe integritet.
Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi, përfshi një gjyqësor profesional, të pavarur, si institucion thelbësor për të garantuar shtetin ligjor, si dhe ndarjen dhe balancimin e pushteteve”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Mbrëmjen e djeshme Gjykata Kushtetuese vendosi që të rrëzonte vendimin e Kuvendit për të shkarkuar Metën, pasi sipas saj shkeljet e kreut të shtetit nuk ishin aq të rënda sa të justifikonin shkarkimin e tij.