Italia njohu pensionet, ja kush përfiton dhe si bëhet llogaritja e viteve të punës

475
0

Italia do të njohë pensionet për shqiptarët që kanë jetuar dhe punuar përtej Adriatikut. Lajmin e mirë e dha sot kryeministri Edi Rama, i cili tha se parlamenti italian ka përfshirë në projekt-buxhetin e vitit 2022 edhe një amendament për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensioneve të shqiptarëve me kontribute pune në vendin mik.

Por kur do të futet në fuqi dhe çfarë parashikohet konkretisht? Për të folur më shumë lidhur me këtë çështje që prek shumë shqiptarë, i ftuar në “Radarin Informativ” në “ABC” mbrëmjen e sotme në lidhje “Skype” ishte Dritan Trimcev, shoqata “Diaspora”.

Ai u shpreh se në janar kjo çështje pritet që të marrë udhë. “Në rastin konkret bëhet përpara marrëveshja, aprovohet në parlament pastaj përcaktohet fondi. Senatori Tommaso Nannicini ka dy vite që insiston për përcaktimin e fondeve.

Marrëveshja që do të bëhet që të futet në fuqi duhen paratë. Në këtë rast janë dhënë paratë, sepse janë përcaktuar 136 mln euro për këtë marrëveshje për 10 vitet e ardhshme.

7.6 mln euro për vitin 2023 dhe kështu me radhë deri në vitin 2032 që do të jenë 20.3 mln euro. Fondi rritet në mënyrë progresive. Është bërë një studim shumë i imët. Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë. Nëse më përpara bëhej një marrëveshje por nuk kishim para, në këtë rast marrëveshja do të bëhet pasi është një fond” tha ai.

Por çfarë specifikon marrëveshja për shqiptarët që kanë punuar në Itali dhe janë kthyer në atdhe ose e kundërta? “Unë po marr shembull veten time për ta sqaruar. Unë kam 12 vite punë në Shqipëri, nuk e marr dot pensionin shqiptar. Në Itali kam 27 vite.

Bashkohen vitet dhe më bëhen 39 vite që unë dal në pension edhe në Shqipëri, se në Itali më mjaftojnë 20 vite. Në Itali dilet me moshë ose vjetërsi pune, kush bën 40 vite punë del në pension. Nuk është vetëm pensioni me moshë 67-vjeç e disa muaj. Ka dy lloj mënyrash për të dalë në pension. Ata që nuk kanë bërë 20 vite në Itali, i bashkojnë me të Shqipërisë për të marrë pensionin minimal”.

Por ku do të merret në fund të muajit pensioni? “Të shikojmë si do të bëhet, por në Shqipëri do të marr pensionin shqiptar. Në Itali pensionin italian” tha ai, referuar viteve të punës mbi bazën e të cilave do të dalë shuma e pensionit mujor.

Ata që kthehen në Shqipëri ose italianët, përfitojnë në bazë të viteve të punës. Derisa në Itali të jetë në funksion vitet e punës. Ata që nuk i kanë bërë vitet e punës në Shqipëri apo Itali përfitojnë shumë” theksoi ai. “Tommaso Nannicini u shpreh se nga janari do të fillojë punën me palën shqiptare”.

Dritan Trimcev kishte një mesazh edhe për kryeministrin Edi Rama. “Ne kemi shpresa nga Rama që këtë punë ta mbarojë. Pengesë deri tani ka qenë pala italiane. Kjo ka rënë dhe Edi Rama, që është çun tirone si unë, si ish-emigrantë, besoj se do ta bëjë këtë punë” përfundoi ai/abc/