Aida Shtino tregon kërcënimin më të frikshëm që ka marrë në “Njerëz të Humbur”

989
0

Për herë të fundit për Aida Shtinon u fol në 2016-n, kur tentoi të rikthente “Njerëz të Humbur” në ekranin e Ora News. Pasi kjo dështoi, gazetarja u zhduk sërish.

Sot, ajo u rikthye si rrallëherë për një intervistë në “Pasdite në Top Channel”. Duke folur për “Njerëz të Humbur”, emisionin e saj që u mbyll vite më parë, Shtino thotë se e bëri njeri më të mirë, se çdokush vjen me një mision në jetë dhe ndoshta ai ka qenë misioni i saj.

Në përfundim të pjesës së parë të intervistës, Juli Krisafi e pyet Shtinon a ka marrë ndonjë kërcënim gjatë punës në “Njerëz të Humbur”:

“Kam marrë shumë herë kërcënime, edhe ka qenë shumë e vështirë. Kam marrë kërcënime për veten time për familjen, ka qenë kompleks e gjitha. Duke kërkuar një vajzë, familjarët e të cilës nuk kishin asnjë gjurmë, ne binim në rrjete trafikantësh dhe ishte e pamundur të mos kishte kërcënime. Mbaj mend njëherë kur kam qenë në Vizion+, ne kërkonim një vajzë të zhdukur nga Elbasani. Vijnë gjurmët se e kishin marrë dhe e kishin çuar në Greqi për ta trafikuar dhe në atë periudhë kishim agjentë në Greqi që kërkonin edhe nëpër rrugë. Një ditë, po shkoja në zyrë më vjen një letër ma jep porteri, ia kishin lënë porosi të ma jepnin në dorë. E hap letrën dhe aty shkruante “vajza ndodhet në këtë adresë” dhe ishte adresa e shtëpisë sime. Deri në atë moment e kisha marrë me lehtësi. Aty u tërhoqa, jo nga kërkimet, por vura alarmin, njoftova policinë. Për fat, atë vajzën e gjetëm. Na u desh të bashkëpunonim me disa nga personat që e kishin marrë vetëm e vetëm që ajo të vinte në shtëpi. E kemi sjellë dhe në studio, madje babai është çuditur kur e ka parë.”