E kush nuk e mban mend rastin e Zef Tuçit, kryefamiljarit të sëmurë me kancer, që jeton në Rrëshen në kushte të mjera. Vetë i pesti në familje, Zefi jetonte mes skamjes e sëmundjes, me vetëm 140 mijë lekë të vjetra në muaj.
Para dy ditësh, fondacioni Fundjavë Ndryshe së bashku me emisionin investigativ Stop i erdhën në ndihmë kësaj familjeje me ushqime dhe orendi shtëpiake, si dhe një shumë parash, ndërsa themeluesi Arbër Hajdari, i premtoi se do të kujdesej për të në një spital privat.
Sot, pas 2 ditësh Arbri është rikthyer sërish në shtëpinë e Zefit, këtë herë për ta marrë atë me vete.
Së bashku me Spitalin Amerikan, Zefi u nis drejt Tiranës nga Rrësheni pasditen e sotme, për t’iu nënshtruar kujdesit mjekësor të nevojshëm për sëmundjen e tij.
Jo vetëm kaq, por ndërkohë në Rrëshen ka nisur që sot ndërtimi i shtëpisë së re për familjen e Zefit, siç duket edhe në videon e publikuar nga emisioni Stop.
Zefi ka 3 vjet në krevat, por pavarësisht skamjes dhe sëmundjes, ai nuk është dorëzuar. Mjaft prekës ishte momenti kur Marta, e shoqja e Zefit tregoi për vuajtjet e tyre, ndërsa Zefi iu përgjigj duke kënduar.
“Unë jam bashkëshortja e Zef Tuçit. Bashkëshorti im është i shtrirë në krevat prej tre vitesh. Unë kërkoj nga shteti që të më japin kujdestarinë që po bëj ndaj Zefit. Edhe kjo shtëpi ku banoj unë nuk është e imja është e parkut ku kanë pas fjetur punëtorët në kohën e monizmit,” thotë Marta.
Ndërsa Marta qante, Zefi filloi të këndonte: “Qaj moj Martë, qaj moj zemër qaj, qaj e mos pusho, natë e ditë po tretem moj dhe s’ka njeri që hallin të ma qajë.”
Tashmë, shqiptarët janë bashkuar dhe i kanë qarë hallin Zefit, duke u treguar të gatshëm për t’i dhënë atij të gjithë ndihmën që i ka munguar deri më sot. Më në fund, një lajm i mirë jo vetëm për Zefin, por për të gjithë shqiptarët, teksa morëm sërish mesazhin se së bashku mund t’ia dalim!