Interesi i konsumatorëve shqiptarë është i orientuar drejt pajisjeve elektronike, në veçanti për aparatet celularë dhe komponentët e kompjuterëve. Këtë e konfirmon gjigandi kinez i shitjeve online, Alibaba, përmes një liste me objektet më të nxehta në Shqipëri
Ndër 30 produktet, gjysma zotërohet nga celularët smartphone, aksesorët dhe pjesët e këmbimit. Duke qenë se në këtë portal listohen vetëm kompani kineze, edhe produktet janë kryesisht celularë të lirë të markave jo shumë të njohura, por që kanë pothuajse të njëjtat specifika me modelet më të shtrenjta. Edhe vlerat respektive janë po ashtu pak të kushtueshme dhe variojnë nga 20 deri në 250 dollarë për njësi.
Ajo që bën përshtypje në këtë listë është përfshirja e kartave grafike, të cilat kanë një funksion parësor, shfrytëzimin për të prodhuar Bitcoin. Interesi për këto pjesë kompjuterike duket se ka ardhur në një moment që kriptovalutat po arrinin vlera historike. 13 nga 30 produktet në listë janë pikërisht karta të tilla të fuqishme, të cilat variojnë nga 180-500 dollarë për njësi.
Në këtë rast, vihet re një blerje në sasi të mëdha e këtyre mallrave, çka nënkupton se janë blerë kryesisht nga biznese apo individë shqiptarë që kërkojnë të nxjerrin një fitim edhe më të madh prej tyre.
Tregtarët në Shqipëri, shprehen për SCAN se ka shumë individë të interesuar për sisteme të afta për “bitcoin mining”.
Produktet e vetme që bëjnë përjashtim nga grupet e mësipërme janë laptopët e rinj apo të përdorur, televizorët e lakuar, si dhe rripat e zgjuar të kyçeve për fitnes.
Kërkesa e lartë për pajisje elektronike përputhet me të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për mallrat e importuar në vendin tonë. Për periudhën Janar-Tetor 2017, në Shqipëri hynë rreth 4,300 ton produkte elektronike më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2016, çka përbën një rritje prej 15,7%.
Informacioni i Alibaba është i kufizuar në produktet që tregtohen në këtë portal, pra nuk përfshin të dhëna për blerjet në faqe të tjera si Aliexpress, apo eBay. Nëse do të kishte të dhëna edhe për këto faqe, mund të hamendësojmë se do të kryesonin produktet e veshjeve.
A.H./SCAN