Bum përftimesh nga shqiptaret qe jetojne jashtë për bonusin e bebeve

246
0

8 mijë foshnja të lindura jashte vendit perfituan bonusin ne atdhe.

Prej tre vitesh qeveria shqiptare jep bonus në para për çdo fëmijë shqiptar që regjistrohet në librat e gjendjes civile.

Politika, që u ndërmor për të stimuluar lindjet brenda vendit, që vitet e fundit kanë rënë ndjeshëm, po deformohet pasi në një masë të madhe po merret nga fëmijët e emigrantëve të lindur jashtë vendit. Kjo praktikë po rrit me shpejtësi shpenzimet në formën e bonusit, teksa shihet që nuk ka ndihmuar në rritjen e lindjeve brenda vendit pasi rënia e treguesit ka vijuar edhe përgjatë viteve kur nisi aplikimi shpërblimit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në fund të 10 -mujorit 2021 u paguan 2.8 miliardë lekë për bonusin e lindjeve, ndërkohë që i gjithë fondi vjetor ishte 2.2 miliardë lekë. Të dhënat nga financat në treguesit mujor fiskal tregojnë se plani vjetor për bonusin e bebeve u harxhua qysh në muajin gusht.

Sipas të dhënëve të Ministrisë së Shëndetësisë vitin e kaluar e kanë përfituar bonusin 36,188 foshnja, ndërkohë INSTAT raportoi se vetëm 28,075 ishin të lindura brenda vendit. Të dhënat tregojnë se bonusin e kanë përfituar rreth 8 mijë foshnja të lindura jashtë të cilat përbënin mbi 22 për qind të totalit të planifikimeve.

Nisur nga numri i lindjeve vitin e kaluar Ministria e Shëndetësie kishte programuar të shpërndante bonusin për rreth 28 mijë foshnja këtë vit, por ky numër është ezauruar që në muajin gusht.

Duke nisur nga data 26 gusht 2021 bonusi i bebes për fëmijët e lindur jashtë shtetit dhe në strukturat spitalore private shpërndahet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror sipas qarqeve.

Në janar të vitit 2019 qeverisi të aplikojë dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura.

Për fëmijën e parë bonusi ishte 40,000 lekë, për fëmijën e dytë e dytë 80,000 lekë dhe fëmijën e tretë 120,000 lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim;

Për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilin fëmijë, ndërsa për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 lekë për secilin fëmijë.

Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se ndihmën e menjëhershme financiare e përfitojnë edhe nënat shtetase shqiptare për fëmijë të lindur jashtë vendit dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.

Nëpunësi i gjendjes civile, i atashuar pranë institucioneve të shërbimit spitalor ku kryhet lindja, kryen veprimet e verifikimit on-line të statusit të nënës dhe regjistron fëmijën e lindur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010.

Pas regjistrimit kryen verifikimet e nevojshme për përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi). /Monitor/