Vazhdn luhatja e tregut valutor. Por leku u forcua në kursin e këmbimit valutor ndaj Euros për të nëntën ditë radhazi, duke rifituar pjesën më të madhe të terrenit që kishte humbur në gjysmën e dytë të tetorit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të mërkurën me 121.71 lekë.
Që nga data 4 nëntor, kur nis rënien, Euro ka humbur 1.16 pikë në kursin e këmbimit me lekun. Aktualisht, Euro ndodhet pranë niveleve të datës 20 tetor, kur pati nisur një cikël i mbiçmimit të shpejtë, i nxitur kryesisht nga kërkesa për nevoja të importit të energjisë elektrike, duke iu afruar 123 lekëve.
Por, megjithë shqetësimin për ndikimin që mund të jepte ky faktor në kursin e këmbimit valutor, për momentin ndikimi i tij është frenuar, madje leku i ka rifituar pozitat e mëparshme në më pak se një muaj.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, të pyetur nga “Monitor”, gjatë ditëve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të ofertës së Euros në tregun e këmbimit valutor.
Në veçanti, ka qenë një bankë tregtare që ka kryer operacione të shitjes së Euros në vlerë të madhe, me shumë të ngjarë për nevojat e klientëve të vet. Më në përgjithësi, oferta e Euros në ekonomi dhe në tregun valutor, sipas agjentëve, ngelet e bollshme. Ata shprehen se Euro mund të kthehet sërish pranë nivelit të 121 lekëve, ku ndodhej në pjesën e parë të muajit Tetor. Megjithatë, ata mendojnë se pozitat e Euros në të ardhmen e afërt mund të jenë sërish të luhatshme, të ndikuara nga vlerat e larta të importit të energjisë elektrike, por edhe nga thellimi i deficitit tregtar, për shkak të shtrenjtimit të mallrave të konsumit. Presionet e larta inflacioniste nga jashtë priten të ngelen një faktor me ndikim në bilancin e llogarisë korente dhe në kursin e këmbimit valutor.
Një faktor që mund të ndikojë në kahun e kundërt është emetimi i radhës i Eurobondit. Pritet që brenda muajit Nëntor qeveria shqiptare të realizojë emetimin e radhës në trejget ndërkombëtare, për një vlerë prej 700 milionë Eurosh. Në pjesën më të madhe ky Eurobond do të përdoret për rifinancimin e borxheve të jashtme ekzistuese. Megjithatë, një pjesë e tij, rreth 70 milionë euro, do të shkojnë për financimin e deficitit buxhetor dhe do të rrisin në një masë të vogël ofertën për valutë në tregun e brendshëm.
Ndërkohë që fiton pikë ndaj Euros, Leku vazhdon të humbasë terren ndaj Dollarit Amerikan, që të mërkurën u këmbye me 107.58 lekë, niveli më i lartë që prej korrikut të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas ekspertëve kursi i Dollarit dhe valutave të tjera nuk ndikohet shumë nga zhvillimet në tregun e brendshëm, por thjesht reflekton kursin e këtyre valutave në tregjet ndërkombëtare dhe sidomos raportet e këmbimit të tyre me Euron.
Në muajt e fundit, Dollari është forcuar kundrejt Euros, i shtyrë sidomos nga inflacioni i lartë në SHBA dhe pritshmëritë për shtrëngim të politikës monetare të Rezervës Federale. Megjithëse pesha e Dollarit në ekonominë shqiptare dhe në bilancin tregtar të vendit ka rënë ndjeshëm, tërthorazi nënçmimi i Lekut ndaj valutës amerikane mund të ndikojë ndjeshëm çmimet e mallrave jetike, si karburantet apo gruri.