Italia e blinduar në ditën kur certifikata shëndetësore bëhet e detyrueshme. Nga kjo e premte, të gjithë punonjësit e sektorit publik e privat në Itali do t’u kërkohet të dëshmojnë vaksinimin, test negativ apo shërimin nga koronavirusi.
Punonjësit në Romë qëndruan në radhë para qendrës tregtare Rinascente për të treguar green pass, apo certifikatën e gjelbër e cila është në formë të printuar apo digjitale.
“Do të kisha preferuar që qeveria të impononte vaksinimin e detyrueshëm se sa certifikatën. Megjithatë, green pass është e nevojshme për të lënë prapa pandeminë”, thotë Daniela, një nga banoret e kryeqytetit italian.
Por ndërsa shumica e mbështesin masën, e më shumë se 80 për qind e popullsisë mbi 12-vjeçare janë të vaksinuar, kundërshtitë dhe paralajmërimet për protesta në disa sektorë, kanë vënë në alarm autoritetet.
Qindra punonjës të porteve në Trieste dhe Ankona kërcënojnë të bllokojnë operacionet, duke hyrë në grevë disaditore. Po ashtu, rrezikon të bllokohet transporti rrugor, ku gati 30 për qind e punonjësve nuk kanë një certifikatë të vlefshme.
“Green pass është diçka e keqe, është një formë e legalizuar diskriminimi dhe asgjë tjetër. Nuk është një rregull shëndetësor, por një lëvizje politike për të krijuar ndasi mes njerëzve”, shprehet Fabio Bocin, që punon në atë port.
Sipas një raporti të brendshëm qeveritar, rreth 15 për qind e punonjësve të sektorit privat dhe 8 për qind të atij publik, nuk kanë green pass.
Ata rrezikojnë të pezullohen pa të drejtë page apo me gjoba deri në 1500 euro. Qeveria e Mario Draghi rrezoi kërkesën e protestuesve, për të shtyrë vendimin e për ta bërë certifikatën e detyrueshme.