Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga fshati Portëz në Fier, në kuadër të aksionit të vaksinimit në çdo komunitet, ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë strukturave vendore për intenfisikimin më tej të vaksinimit antiCOVID.
“Eshtë e rëndësishme trokitja derë më derë, të gjithë ata që nuk janë vaksinuar ende duhet që të vaksinohen dhe plani ynë i cili tashmë kalon në këtë fazë të re, ku bashkë me të gjithë personelin shëndetësor, përfshihen edhe të gjithë drejtuesit lokalë, përfshihen administratorë të njësive administrative, përfshihen kryepleqtë, përfshihen ata që kanë kontakte direkte me komunitetin, i jep një vlerë të shtuar të gjithë këtij procesi”, nënvizoi Manastirliu.
Duke e konsideruar një detyrë qytetare, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se vaksinimi derë më derë nga njësitë e lëvizshme do të intesifikohet në gjithë vendin.
“Vaksinimi është një detyrë dhe përgjegjësi e të gjithëve, ashtu sikurse është një detyrë e të gjithë komunitetit që të kontribuojë dhe kujdese për të gjithë ata të cilët ende nuk janë vaksinuar dhe ti tregojë shembullin dhe nëpërmjet shembullit mund të arrijmë të shumëfishojmë ata të cilët vaksinohen dhe patjetër duke shumëfishuar përpjekjet tona dhe përpjekjet tona sikurse po e tregojnë janë në të gjithë vendin me personel të dedikuar për njësitë e terrenit, të cilët janë duke vaksinuar derë më derë nëpërmjet njësive të lëvizshme”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se aksioni ndaj vaksinimit antiCOVID minimizon rrezikun për çdo qytetar para sezonit të dimrit.
“Shumë i rëndësishëm ky proces për të vaksinuar, për kujdesin shëndetësor që na duhet sepse dimri është tek porta. Qoftë COVID-19, qoftë gripi stinor do të ketë një impakt. Ne duhet të reduktojmë rrezikun dhe e minimizojmë atë nëpërmjet bërjes së vaksinës dhe kjo është e rëndësishme për t’u transmetuar tek të gjithë”, u shpreh Manastirliu.
Deri tani në vendin tonë janë kryer 1,789,592 vaksinime, 828,940 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës ndaj COVID19.
Gjithashtu prej ditës së hënë nis java e vaksinimit të studentëve (11-17 tetor) dhe vaksinimi do të kryhet në fakultetin ku studion, strukturat shëndetësore me dekanatet dhe rektoratet kanë përpiluar dhe miratuar kalendarin e vaksinimit antiCOVID. Kanë mbërritur në vendin tonë deri tani 2,262,960 vaksina antiCOVID.