Brenda 24 orëve do të mbërrijnë në aeroportin e Rinasit 300 qytetarët e parë afganë që do të strehohen provizorisht në Shqipëri. Vendi ku do te strehohen janë strukturat konviktore në kryeqytet, ndërsa për qytetarët e tjerë afganë që do të vijnë në vendin tonë do të përdoren dhe disa struktura hoteliere në qytetin e Durrësit.
Përpara mbërritjes së avionit të parë me afganë në Tiranë, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka pasur një bashkëbisedim me ministren e Jashtme Xhaçka.
“Situata ndryshon me shumë shpejtësi, detajet nuk janë vendosur ende, por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkërendojnë nga afër me qeverinë shqiptare. Ende nuk kemi një numër të saktë. Por ajo që mund të them është se njerëzit do të vijnë këtu përkohësisht, me idenë se do të vendosen përfundimisht në Shtetet e Bashkuara.
Disa njerëz po zhvendosen direkt në Shtetet e Bashkuara dhe kjo, në njëfarë mënyre, është çështje procesi. Tashmë kemi disa mijëra në Shtetet e Bashkuara, unë ende nuk i di kalendarin apo shifra por jam e sigurt se detajet do të jenë më të qarta gjatë ditëve në vazhdim”, tha Yuri Kim.
Afganët që do të vijnë në Shqipëri pritet të qëndrojnë për një periudhë 1 deri në 2 muaj deri në plotësimin e dokumentacionit për tu zhvendosur përfundimisht në shtetet e Bashkuara