Dy fjale për nënat që u kërkojnë fëmijëve t’i kryejnë nevojat personale në rrugë, në një pemë a cep muri

326
0

Duke ecur në rrugë, shpesh dëgjojmë fëmijë, që u drejtohen nënave për nevojat e tyre personale. Nënat pa u menduar, japin një zgjidhje praktike duke i treguar një pemë, cep muri, pra vende në publik. Fëmija i shqetësuar vëzhgon vendet, që nëna i ofron dhe nguron. Nëna vazhdon të këmbëngulë, madje edhe ironizon me shprehje zhvleftësuese. Ajo është bezdisur nga kërkesa e fëmijës, përton të kthehet në shtëpi dhe nuk i shkon ndër mend, se me pak inkurajim, duke e pyetur, se a mund të durojë edhe pak, apo të kthehen në shtëpi, fëmija mund të qetësohet dhe të durojë mbase edhe një orë tjetër pa i prishur planet nënës. Por për çudi nënat zgjedhin rrugën e gjatë, duke shqetësuar edhe veten, edhe fëmijën.

Gjithashtu këto nëna veprojnë pa menduar se fëmijës së tyre i kërkohet të ekspozojë në publik „pasaportën e parë“ që tashmë është personale dhe nuk ekspozohet më kudo. Fëmija e pranon veten dhe botën nëpërmjet ndjesisë dhe fjalës së nënës dhe nëna i kërkon një gjë të tillë; i ka shkuar ndërmend ndonjë nëne kur thotë ato fjalët, që i dinë vetë ato, se çfarë i provokon fëmijës së saj dhe në veçanti djalit të saj? Natyrisht jo, sepse po ta dinte natyrisht nuk do të vepronte në atë mënyrë. Por kjo mosdije nuk mjafton për t’u justifikuar, sepse është tregues i mungesës së vetëkontrollit dhe përgjegjësisë. Një nënë nuk mund të reagojë ashtu „siç i vjen“. Kjo do të thotë mos dish të duash, mos të dish të shohësh, mos të dish të dëgjosh, të mos dish të thuash fjalën e saktë në kohën e duhur, apo të mos jesh, kur fizikisht je i pranishëm. Asnjë nëne nuk i shkon ndër mend, në çastet kur thotë këto fjalë apo bën këto veprime, se po frenon rritjen dhe identifikimin si burrë, të djalit të saj. Ajo harron se pasaporta e parë e njeriut është organi seksual. Janë këto sjellje të pavetëdijshme të nënës që mbajnë gjallë disa veprime të burrave si urinimi dhe defekimi në natyrë, prekja e pavetëdijshme e organit sidomos në gjendje të ngarkuara emocionale. Ato nuk e kuptojnë rëndësinë e sjelljes së tyre për fëmijën në këtë moshë. Sa më me respekt të sillet nëna ndaj fëmijës, aq më respekt do të ketë ai për veten dhe natyrisht edhe për të tjerët. Lira Gjika (marrë nga libri fëmijëria).