Fëmijë, burra e gra që ngjiteshin në një anije të ankoruar në portin e Durrësit. Për dikë që nuk e ka jetuar nga afër gushtin e vitit 1991 në Shqipëri ato pamje do t’i dukeshin të pabesueshme. Mijëra njerëz që ngjiten në një anije, vareshin nga direktët e saj duke e populluar çdo centimentër të asaj strukture metalike.
Të gjithë donin të iknin. Nga vendi i varfër i sapodalë nga një prej regjimeve diktatoriale më të egra të Evropës.
Anija “Vlora” që çoi në atë udhëtim të 8 gushtit 1991 drejt ëndrrës së lirisë mijëra shqiptarë është “rikthyer” në shtëpi 30 vite më pas.
Në qytetin e Durrësit nga u nis anija e shpresës është kremtuar dje me një organizim italiono-shqiptar “Udhëtimi i anijes Vlora – 30 vite më vonë”.
Në përkujtim të atij udhëtimi është ndërtuar një memorial, i realizuar nga artistja Jasmine Pignatelli, një shenjë për të treguar historinë e përbashkët midis Italisë dhe Shqipërisë.
Me rastin e 30-vjetorit të mbërritjes së “Vlorës” në portin e Barit, qyteti i Barit, në bashkëpunim me Bashkitë e Durrësit dhe Tiranës dhe me mbështetjen e Rajonit Pulia dhe Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Bari, promovon një program nismash të përbashkëta midis dy brigjeve të Adriatikut, për të kujtuar ngjarjen që shënoi historinë e flukseve migratore të shekullit XX.
“Më 8 gusht ne do të nënshkruajmë përsëri atë pakt solidariteti dhe vëllazërie që tridhjetë vjet më parë kemi bërë në mënyrë simbolike me komunitetin shqiptar dhe se çdo vit, që atëherë, ne kemi marrë përsipër të rinovojmë jo vetëm në ditët simbolike të tilla si ajo e 8 gushtit, por mbi të gjitha në jetën e përditshme. Festimet e këtij 30-vjetori shërbejnë për të kujtuar atë që ndodhi në Bari më 8 gusht 1991. Historia e botës, siç e kishim menduar deri atëherë, nuk ka qenë kurrë e njëjtë ”, tha kryetari i bashkisë së Barit, Antonio Decaro, citon affaritaliani.it
“Vitet e fundit, shumë gjëra kanë ndryshuar, bota ka ndryshuar, historia e qyteteve tona dhe kjo tokë kanë ndryshuar. Historia e migrimit ka ndryshuar, ndoshta duke filluar nga ai udhëtim, kur 18 mijë shqiptarë vendosën që Italia do të ishte e tyre”, shtoi Decaro.
“Ne jemi krenarë se si, në këto tridhjetë vjet, dy komunitetet tona kanë mësuar të bashkëjetojnë, duke i demonstruar të gjithë botës se atë ditë sytë i kishte të fiksuar në atë kalatë, se kufijtë fizikë të një shteti mund të jenë shndërruar nga margjina në mundësi, nëse në bazë të çdo veprimi ka respekt dhe solidaritet ndaj atyre që po kalojnë një kohë të vështirë”- theksoi zyrtari italian.
Konsullja shqiptare në Bari, Gentiana Mburimi, në fjalën e saj tha se ai udhëtim vendosi historinë e marrëdhënies mes dy vendeve. “Sot ne jemi këtu për të përkujtuar historinë e tridhjetë viteve më parë që shënoi të ardhmen e të gjithëve ne, të një populli, të popullit të tij dhe të njerëzve që u hapën dyert atyre. Ishte fillimi i një udhëtimi të përbashkët, i ndarjes së historisë dhe vlerave, i cili na bëri të jemi në gjendje të shikojmë prapa, krenarë për rrugën e përshkuar së bashku”, tha ajo.
Gjatë ditëve të aktiviteteve të përbashkëta në Durrës do të ketë disa ekspozita dhe shfaqje për të përkujtuar jo vetëm një datë historike por dhe marrëdhënien mes dy vendeve dhe popujve.