Vjen kërcënimi për Ramën: Po shite detin, do të kesh fatin e Esat Pashë Toptanit!

685
0

Ish-deputeti i PS, Koço Kokëdhima ka bërë një paralajmërim të fortë për kryeministrin Rama duke thënë se nëse shet detin do të ketë të njëjtin fat si Esat Pasha që shiti Shqipërinë.

Nëse kjo qeveri do dëmtojë qoftë edhe një milimetër hapësirat detare dhe tokësore të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama do jetë Esat Pashë Toptani i ditëve tona dhe do të ketë fatin e Esat Pashë Toptanit!

Shkrimi i Koço Kokëdhimës

Edi Rama, edhe në politikën e jashtme dhe për çështje madhore kombëtare, po vazhdon të bëjë atë që di të bëjë më mirë; pazare të fshehta dhe pa u konsultuar me askënd, sikur ta ketë Shqipërinë çifligun e tij. Ajo që po ndodh së fundmi mes vendit tonë dhe Greqisë është një turp dhe papërgjegjshmëri totale, e kësaj qeverie.

Që nga takimi 3 ditor (10-12 Nëntor 2017) i Kretës “kokë më kokë”, mes ministrave të Jashtëm Ditmir Bushati dhe Niko Kotzias dhe deri te ai më i fundit i Korçës, shqiptarët po mësojnë se për çfarë është biseduar e vendosur, vetëm nga pala greke dhe mediat e tyre. Kështu ndodhi me çështjen e kërkimeve dhe varrezat e ushtarëve grekë, njësoj po ndodh edhe me çështjen e detit.

ZGJIDHJA e paralajmëron qeverinë se po luan me zjarrin! Urgjentisht duhet të bëjë publike të gjitha detajet rreth bisedimeve me Greqinë dhe çfarë ka ndërmend të firmosë Edi Rama me kryeministrin Tsipras, në takimin e paracaktuar këtë pranverë.

Qytetarët shqiptarë, parlamenti, presidenti dhe të gjithë faktorët politikë në vend janë në errësirë të plotë. Edi Rama po sillet me çështjet fondamentale të Shqipërisë, si me plaçkën e gjetur në rrugën e pushtetit të tyre.

Urgjentisht edhe sipas kushtetutës, ata duhet të bëjnë transparencë të plotë për këtë “marrëveshje historike me Greqinë” siç e quan Rama; Për kufirin detar, për çështjen çame dhe për çfarëdolloj gjëje tjetër që është biseduar, apo është lënë në “harresë”.

Ministri grek i jashtëm, Niko Kotzia deklaroi se territori grek, në marrëveshjen me Shqipërinë, është zgjeruar 12 milje nga bregu.
Në çdo rast nuk është kryeministri dhe ministri i jashtëm që llogarit miljet dhe kufijtë detarë.

Janë ekspertët dhe institucionet e shtetit që e bëjnë këtë gjë, përmes komisioneve shtetërore dypalëshe e më vete, sipas rregullave, ligjeve dhe procedurave ndërkombëtare të mirëpranuara.

Nëse kjo qeveri do dëmtojë qoftë edhe një milimetër hapësirat detare dhe tokësore të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama do jetë Esat Pashë Toptani i ditëve tona dhe do të ketë fatin e Esat Pashë Toptanit!

Kryetaria e Komisionit të Jashtëm në Kuvend, Mimi Kodheli, u deklaroi gazetarëve se nuk dinte asgjë rreth kësaj teme dhe mund të pyesnin Ditmir Bushatin. Të njëjtën gjë konfirmuan edhe të gjithë deputetët e shumicës!

Pra duket hapur, se kemi të bëjmë me një pazar të Edi Ramës, në përpjekje për të siguruar votën e Greqisë në procesin e hapjes së negociatave me BE-në, i duhet një “po” së shpejti, sepse e sheh si të vetmen mënyrë për të mbuluar zullumin kriminal dhe korruptiv që ka gatuar brenda vendit.

ZGJDHJA e paralajmëron Edi Ramën në emër të shumicës së popullit shqiptar të papërfaqësuar në parlamentin e partive të vjetra, të mos guxojë të lëshojë sovranitetin e Shqipërisë për asnjë arsye. Në Europë duhet të shkojmë vetëm në një mënyrë; me dinjitet dhe si një vend me sovranitet të plotë.

“Zgjidhja” i bën thirrje presidentit Ilir Meta, që, ashtu siç e parashikon edhe Kushtetuta, të kërkojë urgjentisht nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm, dosjen e plotë të bisedimeve me Greqinë.

Ta bëjë atë transparente dhe objekt diskutimesh për specialistët dhe ekspertët e fushave përkatëse. Gjithashtu i kujtojmë opozitës parlamentare, të thërrasë urgjentisht në parlament kryeministrin, për të zbuluar se çfarë ka ndërmend të firmosë me kryeministrin e Greqisë së shpejti.
#ZGJIDHJA për Shqipërinë http://www.albeu.com/shqiperi/vjen-kercenimi-per-ramen-po-shite-detin-do-te-vritesh/369972/