Mungesa e kujdesit shëndetësor, mjekëve dhe e vrojtuesve në plazhe ka nxjerrë në protestë dhjetra pushues nga Kosova. Protesta ka ardhur 24 orë pasi në plazhin e Velipojës ndërroi jetë një 44-vjeçar si pasojë e një infarkti. Pushuesit u ankuan se urgjenca është vonuar mbi një orë, duke mos mundur të shpëtojë 44- vjeçarin. “Më së pari i shprehim ngushëllimet familjes që ka humbur të dashurin e tyre. Për ata jemi këtu për të dhënë një mesazh. Sa herë vijmë këtu kemi humbje të njerëzve. Pushteti e ka këtë detyrë. Po bëjmë apel, më tepër ne po e mbajmë shtetin se ata ne. Mos na bëni më të na shkojnë njerëzit. Ne më këtu nuk vijmë nëse nuk marrin masa”, tha një nga protestuesit.
Ndërkaq një tjetër pushuese nga Kosova tha ishin të zemëruar për shkak të vonesës së mjekëve, që po të kishte ardhur në kohë mund ta shpëtonte: “Emergjenca është vonuar shumë. Ai ka pasur infarkt por mund të shpëtonte. Me sa di sepse isha në shezlong është vonuar më shumë se një orë. Shumë larg më duket për të ardhur Emergjenca. Këtu duhet të jenë të paktën tre Emergjenca. Duhet të ketë vrojtues sepse këtu janë të gjitha moshat, është një kohë që e frekuentojnë të gjithë edhe të vjetër”, tha protestuesja.
Menjëherë pas protetës së pushuesve nga Kosova ka reaguar Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Shkodër, e cila njoftoi se ishte hapur sot Qendra Shëndetësore Verore në plazh. “ Gjithë pushuesit që shfaqin problematika shëndetësore mund të drejtohen pranë kësaj qendre që është në gatishmëri me ekip mjekësor dhe të gjitha medikamentet e nevojshme”, shkruhej në reagimin e Kujdesit Shëndetësor të Shkodrës.
Velipoja është një plazh që frekuentohet rregullit nga shqiptarët e Kosovës, por mungesa e kontrolleve nga rojet e plazhit dhe mungesa e kujdesit shëndetësor ka bërë që një numër pushuesish të rimendojnë prenotimet.