Një kontroll i kryer në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës ka çuar në gjetjen dhe bllokimin e disa ilaçeve me vlerë tregu 2 mijë euro që policia i konsideroi si mall kontrabandë dhe i sekuestroi.
Policia tha se shërbimet e saj kufitare në Kakavijë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar një mjet kamion që drejtohej nga shtetasi D. K.
Pas ndalimit, në kontroll u përfshi dhe Frontex-i. Në kabinën e kamionit u gjetën të fshehura katër qese, brenda të cilave kishte medikamente me vlerë totale 2 200 euro, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës. Në foto shikoni ilaçet e gjetura.
Ky rast u cilësua kontrabandë me mallra të licencuar dhe u arrestua në flagrancë D. K, 30 vjeç, banues në Fier.
Dukuria e kontrabandës së ilaçeve nga Greqia është shumë e përhapur. Mjafton të shkosh në plot farmaci, sidomos ato që e mbajnë veten për “greke” dhe gjen ilaçe pa pullë fiskale shqiptare. Ato shiten më shtrenjtë se ilaçet kryesisht sllave që futen rëndom në Shqipëri. Por ilaçet greke janë më efektive se prodhimet sllave ndaj njerëzit detyrohen ti blejnë edhe më shtrenjtë.