Arsyet pse duhet protestuar më 27 janar

975
0

Mosbesim, mpirje, dyshim, apati -janë ndjesitë që sot i rrinë mbi kokë shumëkujt. Ata që na minojnë të nesërmen, duke i yshtur ato, kanë qëllimet e tyre, herë shpirtvogla, herë malinje. Pikërisht për këtë, arsyet për të mos u dorëzuar bëhen jetike. Në Shqipëri, shpesh thuhet që kur dikujt i dhurohet diçka, para se ta marrë e të falënderojë, në momentin e parë, ai dyshon te dhuruesi; ku e mori, pse po ia jep, çfarë do t’i kërkojë. “Doktor Gjilpëra” i Konicës e përshkruan mjeshtërisht mosbesimin shekullor të ngulitur në kulturën tonë, kur rrëfen se si një fshat i tërë nuk arrinte të besonte se një djalë i ri, që kishte studiuar mjekësi në perëndim, qe kthyer për të shërbyer në vendlindje, pa asnjë qëllim tjetër.

Konica shtjellon mrekullisht se si ngriheshin njëra pas tjetrës hipotezat se djaloshi ishte kthyer sepse do të merrte qypat me florinj të fshehur në tokë pas vdekjes së babait e të tjera si këto, dhe, ndonëse ai vijonte të shërbente si mjek, sërish puna dhe shërbesa e tij i lexohej si kamuflazh qëllimesh të tjera.

Kultura e dyshimit duhet shpjeguar si mbrojtje dhe mbijetesë, shqiptarëve të gjendur vazhdimisht përballë forcave superiore, përballë dhunës së pushtetit që atij që diçka jep, por gjithçka merr, përballë kontrollit të joshjes nëpërmjet premtimit dhe sundimit nëpërmjet frikës. Kombinimi i një historie të gjatë kushtëzimi nga të fortët e historisë me pasojat e totalitarizmit komunist, duhen kuptuar si dy përcaktorë të mëdhenj të funksionimit të shoqërisë sonë.

Mosbesimi, djallëzia e ngulitur në çdo pikënisje, tregojnë njëkohësisht kompleksimin historik, por edhe realitetin mbijetues të këtij populli. Kompleksimin sepse baza e gjerë e mosbesimit është themel i dobët për këdo që synon të ndërtojë diçka në këtë shoqëri. Jo rrallë, iniciativa, përpjekja, lëvizja për të mirën e dikujt apo ç’blasfemi për interesin publik, shikohet dhe komentohet si një djallëzi e re apo si një hile e vjetër për të vazhduar për të bërë keq. Monopolin e “novatorizmit” -sot i thonë inovacion-dikur e kishte regjimi komunist. E drejta për të kërkuar ndryshim i mohohej individit, grupeve të individëve, mbarë shoqërisë.

Ndryshimi ishte (ashtu siç vazhdon të jetë) në dorën e avangardës së partisë. Gjithsej, 20 individë të vetëkënaqur, që mbajnë në dorë fatin e një kombi të bërë leckë. E, megjithatë, është mahnitëse kur sheh se si, edhe në një terren të tillë, shpirti sipërmarrës i shqiptarëve arrin që mbijetesën ta kthejë në mundësi dhe mundësinë në mirëqenie, me qindra shembuj arritjesh brenda dhe jashtë. Drita e tyre shpon mijëra vrima shprese në cohën e mjerimit e errësirës së propagandës, që sot mbulon shqiptarët. Zbehja e shpresës, mungesa e opsioneve, zbrazësia e alternativave që na shërbehet dita-ditës, s’është gjë tjetër, veçse vazhdimësi e një rrënimi që përsëritet prej shekujsh. Është kthyer tashmë në kod që nëse do të mbijetosh, nuk duhet të bësh asgjë.

Nëse do të flasësh, atëherë mos thuaj asgjë. Nëse dje doje t’i bëje gropën dikujt, i shkruaje një letër anonime. Nëse sot s’do të pushohesh nga puna, i bën “like” shefit në “Facebook”. Sot, ashtu si dje, lideri ligjëron, partia mban shënim. Çfarë ka ndryshuar, mund të pyesim me pesimizëm. Ndoshta, në thelb, asgjë. Asgjë, pasi pushteti luhatet mes palëve, që ndoshta ofrojnë të njëjtat zgjidhje të zbrazëta për të njëjtat probleme të pazgjidhura. Por e keqja evoluon, edhe kur zgjedhim ta quajmë “asgjë.” Asgjëja e sotme është një hiç televiziv.

Lideri prodhon pafundësisht lajme, shifra, arritje, publikut u hidhen syve më shumë produkte televizive sesa mund të konsumojë. Për konsum mediatik prodhohen 200 mijë vende të reja pune, 1 milion pemë të reja për pyllin “orbital” të Tiranës, a thua se rrethinat e rilindura të kryeqytetit po fluturojnë në hapësirë. Në qarkullim hidhen shifra të plota, të rrumbullakosura. Në Europë, për 10 vjet. Fitore me 1 milion shuplaka. 1,000 biçikleta për Tiranën, 10,000 autobusë për Shqipërinë, 10 stola inteligjentë për Vlorën. Ndërkaq, e vetmja shifër që arrin të rrumbullakosë Shqipëria janë ata që ikin.

A ikin shqiptarët se janë shumë të korruptuar? Se janë tepër të ndershëm? A ikin se kanë frikë se i kap vetingu? Përgjigja është e thjeshtë, e hidhur, ashtu siç në fund të fundit shpeshherë, është një e vërtetë. Shqiptarët ikin, as se janë veçanërisht të ndershëm, as se janë tmerrësisht të pandershëm. Ikin sepse këtu nuk jetojnë dot. Këtë e thonë shifrat e thata të azilkërkuesve në Francë dhe Gjermani, ku shqiptarët janë më shumë se sirianët, që ikin nga një vend në luftë.

Kudo, ne shohim ikjen, por ajo që harrojmë të vërejmë, është mrekullia e mbijetesës së shqiptarëve që sakrifikojnë që të mund të jetojnë si duan dhe si meritojnë. Është sakrifica e gjatë e atyre që nuk duan të dorëzohen. Shqiptarët shndërrohen në virtuozë të mbijetesës sepse mbi ta rrinë pushtete dhe njerëz, që nuk i lënë të jetojnë. Aq e vërtetë është kjo, sa qytetarët e kequshqyer të komunizmit mbijetuan si mjeshtra që gërmonin mineralin e rrallë të nënkuptimit midis skorieve, që prodhonin fabrikat gjigante të propagandës.

Shabllonet e regjimit riprodhoheshin, kinse besnikërisht nga një popull i specializuar për t’u shprehur, edhe aty ku çdo hapësirë e mendimit të lirë mungonte. Nënkuptimi mbeti e vetmja mënyrë komunikimi mes atyre që ende kishin diçka për të thënë dhe kjo vazhdoi për sa kohë dyshimi ishte standard dhe mosbesimi pikënisje. Shqiptari i mbijetoi komunizmit, por me kosto të rëndë. Mbijetuam, edhe pse patologjia kolektive e dyshimit ndaj të gjithëve dhe mosbesimit ndaj gjithçkaje është trashëgimia dhe pasoja e kësaj mbijetese. Vetëm në Perëndim, shqiptari arrin të shpalosë i lirë aftësinë e tij ndërtuese dhe jo instinktin e tij të mbijetesës.

“Jashtë shtetit”, shqiptari jeton në sulm, jo në mbrojtje. Në Shqipëri është ndryshe. Rrënimi ynë i brendshëm vjen sepse tashmë shqiptarët kanë aktivizuar shqisën e tyre të mbijetesës, që përkthehet në apati, cinizëm, mosbesim – njerëzit e ndiejnë që mund të jetojnë në mbrojtje, jo në sulm, në ruajtje, jo në zhvillim. Kjo përpjekje e stërlodhshme për të mbijetuar mendërisht sot nuk kalon pa efekte anësore, ashtu siç nuk kaloi pa pasoja gjysmë shekulli komunizëm.

Edhe sot, studentët e kthyer nga jashtë pas 10 vjet studimesh apo fëmijët e emigrantëve që janë rritur në perëndim, përqeshen nën zë, pikërisht atëherë kur komunikojnë qartë dhe drejtpërdrejt, pasi ndodh që neve të na duken naivë deri në kufijtë e budallallëkut. Gjuha jonë, që më shumë sesa komunikon, duket sikur servir plot djallëzi, një nënkuptim, është një ndër kostot më të mëdha që i duhet të paguajë shoqërisë, në çdo nivel, nga administrata deri tek organizatat e biznesit, nga jeta publike tek ajo vetjake.

Pak rëndësi ka nëse një gjë të tillë e quajmë trashëgimi të ligë apo çmim të mbijetesës. Na duhet që këtë trashëgimi të së ligës së djeshme, të ngrihemi dhe ta shpërbëjmë sa më shpejt. Të mos harrojmë që përjetësimi i keqqeverisjes thjesht na rrit çmimin e mbijetesës. Është ndrydhja jonë në mbijetesë, që na shtyn ta interpretojmë sinqeritetin si naivitet, ndershmërinë si mangësi, të qenit të drejtpërdrejtë si idiotizëm. Më i paqarti, më i vagullti, më hipokriti, më i djallëzuari, më mosbesuesi, më hileqari, më i pafytyri, duket më i mençuri midis nesh.

Ai që flet, por nuk thotë asgjë, është ai që diçka di. Ai që diçka di dhe që nuk e thotë, është ai prej të cilit të duhet të ruhesh. Ai, prej të cilit duhet të ruhesh, është njeriu i cili të ka në dorë. Ai që të ka në dorë në Shqipëri, është shefi yt. Shefi i të gjithë shefave, në përqasje të plotë me strukturat mafioze, në Shqipëri quhet lider. Në këtë shkatërrim të komunikimit, në këtë skllavërim të opinionit, vilen frytet e politikës së mejhanes, ku tepsia është gjetja, timoni është shkenca dhe kazani është shpikja.

Kam shkruar e do vijoj të shkruaj për djallëzinë që gjendet në shprehjen “punë shqiptarësh”, për mjerimin që sjell kjo shprehje kur thuhet nga vetë shqiptarët. Sigurisht, vështir se ka një komb, që është perfekt dhe gjithmonë, dikush do të jetë përpara dikujt tjetër, por asgjë e mirë nuk është arritur ndonjëherë duke e nisur punën nga premisa të shkatërruara. Në këto ditë, ndërsa u bëjmë thirrje qytetarëve të protestojnë, të interesuarit për të kundërtën kanë filluar të ndërtojnë një kështjellë të tërë spekulimesh dyshuese.

Me një gjuhë të mbarsur me batuta e që pjell vetëm intriga, ata duan të tkurrin forcën e protestës. Deri-diku kjo ngjit. Disa e hedhin poshtë protestën duke e quajtur protestë politike, a thua se veprimi politik është sinonimi i mëkatit fillestar. Disa argumentojnë që populli është mirë të ngrihet vetë, se po u thirr nga këto partitë që na janë mërzitur, pasi janë të gjitha njëlloj, kjo është më pak e vlefshme dhe nuk quhet. Pastaj e rrotullojnë thikën në kockë e thonë ky popull s’di të ngrihet, as të reagojë. Pas kësaj vijon një pafundësi elegjish të stërholluara që shënjojnë paaftësinë e shqiptarëve. Që s’janë as njerëz qytetarë, as “kafshë politike”.

Natyrisht, ky privilegj i rezervohet kryetimonierit. Liderit global, zotit absolut të timonit, kazanit, kusisë, tavës dhe tepsisë. Nuk ka, nuk ka dhe s’mund të ketë asnjë shembull në histori, që njerëzit të jenë bërë bashkë rastësisht nga rrugica të ndryshme dhe në të njëjtin moment, t’u jenë drejtuar shesheve, ashtu vetë, pa asnjë organizim nga dikush apo nga disa. Ky skenar imagjinar, në realitet, nuk ekziston. Sa ka histori njerëzimi, reagimet popullore janë thirrur e organizuar nga individë dhe struktura dhe kështu ka për të ndodhur gjithmonë. A janë të denjë organizatorët e protestës për të protestuar, a komplotojnë ata për të përdorur popullin dhe për ta shitur protestën, a nuk janë të gjithë politikanët njëlloj, a s’na kanë gënjyer këta, siç na gënjejnë ata?

Pse u lanë jashtë këta, pse nuk erdhën ata, pse prapë këta do dëgjojmë ne? Shqiptari mosbesues tund kokën, të tjerë i bashkohen si një trup i vetëm në mosbesim dhe lideri i radhës mbushet me shpresë – se ja, shpreson që ky shqiptari mosbesues të rrijë në shtëpi. Dhe unë, mendon ai, do të rri këtu ku jam. Me duart në tavë, dhëmbët në timon, gjuhën në kazan dhe këmbët në tepsi. Nuk ka asnjë rëndësi për qytetarin e vërtetë, kush thërret dhe bërtet në protestë – rëndësi ka nëse arsyeja e vet e thërret edhe atë të protestojë.

Përndryshe, nëse do të vijojmë me këtë kërrusje të mpirë nga mosbesimi që ngjiz kjo gjendje, rrezikojmë çdo ditë, një rrëshqitje më pranë humnerës. Ajo që na frymëzon në një botë njerëzish të lirë, është vullneti dhe mënyra në të cilën vendosim të hapim sytë çdo mëngjes të jetës sonë. E vërteta e madhe e lirisë është se ajo nuk është një qëllim për t’u arritur nga një popull skllevërish. Liria jetohet përpara se të arrihet. Ajo është një pikënisje për njerëzit e lirë, jo një destinacion skllevërish të arratisur. Mënyra më e mirë për të nënshtruar gjithkënd, është t’u thuash se përpjekjet e tyre s’kanë pse të fillojnë pasi ato s’kanë kuptim.

Se kauzat e tyre janë shitur. Se anija ka kohë që fut ujë, se helika është ndryshkur dhe se kapiteni, prej kohësh, ia ka mbathur me të vetmen varkë shpëtimi. Ndryshimi, sado i madh apo i vogël, vjen vetëm atëherë kur te njerëzit zgjohet qartësia e një vendimi të brendshëm për ringritje. Gjithçka mbështetet te qartësia e vullnetit. Forca gjendet aty, sa kohë ka jetë dhe gjallim, dhe kjo nuk është letërsi, por ligjësi. Popujt që kanë ditur të lexojnë bekimet pas mallkimeve, kanë arritur ta jetojnë dritën dhe ringritjen. Te forca e mbijetesës, që shqiptarët kanë ditur ta shndërrojnë në kaq shumë mundësi, gjendet pika prej nga mund të lëvizim botën tonë.

Arsyet për të protestuar janë mes nesh. Ato jo vetëm nuk na mungojnë; i kemi me tepri. Nuk janë thjesht arsye për t’u ankuar; janë mundësi që të jetojmë përtej thjesht mbijetesës, si viktima të gënjyera, si idealistë të zhgënjyer apo si komentatorë cinikë propagande, të paketuar si informacion. Tërheqja dhe vetëizolimi sepse gjithçka qenka mashtrim, sepse kjo fushëbetejë nuk është e denjë për ne, sepse s’kemi lekë për rrugën, sepse policia do na rrahë paq, sepse moti është i keq, sepse horoskopi nuk parashikon asgjë të mirë apo se në radhët e protestuesve shohim fytyra që nuk ngjallin simpati, nuk është zgjidhje. E ardhmja fillon me historitë e vendimeve të brendshme, ku çdo ditë kuptohet si një zgjim, po aq sa edhe një fillim.