Apeli i mjekut: Prindër, bëni fëmijë. Ja taksat që mund të ulë shteti

875
0

Shifrat e fundit te publikuara nga Instat tregojne nje renie te numrit te lindshmerise ne Shqiperi. Sipas te dhenave zyrtare numri i femijeve per nje grua mesatarisht eshte 1.51 femije, shifer kjo me e ulet se mesatarja e BE-se.

Mjeku Marsel Haxhia
Mjeku Marsel Haxhia

Mjeku embriolog Marsel Haxhia, shkruan sot ne nje opinion ne gazeten Panorama se shteti duhet te parashikoje politika favorizuese per ciftet qe te bejne me shume femije. Ai sjell shembujt e disa vendeve te BE-se qe kane ne legjislacionin e tyre ulje te disa taksave per te motivuar prinderit te bejne me shume se nje femij.

NGA MARSEL HAXHIA

Të gjithë para disa ditësh u ndeshëm me lajmin që na vinte nga Instituti i Statistikave se vendi ynë i dashur i shqiponjave ka një rënie të lindshmërisë që është më e ulëta, prej themelimit të shtetit. E përmenda, jo pa arsye shqiponjën, që është simboli ynë kombëtar, pasi lajmin se në 25 vitet e fundit numri i shqiponjave është përgjysmuar dhe se nga 4 lloje të ndryshme që janë raportuar në fillim të viteve 90, tashmë raportohet vetëm 1 lloj, shkonte në të njëjtën linjë me uljen e lindshmërisë.

Në vendet e zhvilluara këto lajme do ishin kryefjala e ditës, do kishin ngritur shoqëri civile e njerëz, që fjala u vlen, të flisnin e të ngrinin zërin sa cepi më i errët i këtij shteti të dëgjonte. Zëri, po zëri… fjala… pasi atë kemi… fjala të kthehet në fjali… fjalia të kthehet në vepra… veprat të kthehen në ligje… e ligjet të zbatohen… Shifrat janë alarmante. Ku po shkojmë?! Më kujtohen fjalët e urta të një të moshuari që më thoshte dikur, se ne jemi kalimtarë në këtë botë, por secili nga ne do të kujtohet nga çka bëri për pasardhësit… po ne?! Çfarë po i lemë gjeneratës tjetër?

Numri i ulët i lindjeve, në vitet e fundit, mund të justifikohet deri diku me emigrimin apo faktorë të tjerë socio-ekonomik, si rritja e moshës së grave që bëhen nëna, gjë që më tutje shkon me rritjen e mundësisë që kur ato janë gati të jetë shumë e vështirë për të pasur shtatzëni. Më vjen ndërmend një reklamë në Itali që i kujtonte gratë se “Bukuria nuk njeh moshë, por fertiliteti po!”. Po aq e rëndësishme është dhe mungesa e sigurisë në punë apo varfëria, të cilat i bëjnë çiftet të mos kenë më shumë se një fëmijë.

Te gjitha këto janë diskutime, për të cilat nuk po zgjerohem më tutje, por dua të ndalem të reflektojmë te fenomeni që është aty dhe, në këndvështrimin tim, do të ekzistoje e do të përkeqësohet për sa kohë nuk merren masa reale dhe serioze në mosndalimin e uljes në minimum të këtij fenomeni. Numri i raportuar nga INSTAT-i i fëmijëve për grua në Shqipëri, është 1.51 që është një shifër më e ulët se mesatarja europiane (1.58). Shumë vende të botës po përballen me shifra, edhe më të ulëta se sa 1.51-shi ynë, por kanë ndërmarrë politika nga më të ndryshmet që ta frenojnë këtë tendencë.

Duke filluar nga reklamat e mëdha rrugëve e deri te taksimi më i madh i çifteve që nuk kanë fëmijë. Këtu mund t’ju sjell shembullin e Rusisë apo Koresë së Jugut, që caktojnë një ditë si pushim zyrtar të quajtur si “Dita e Familjes” për të stimuluar çiftet që të tentonin për një fëmijë apo raste, si Spanja e Greqia që po mundohen të japin “bonuse të bebit” me “para në dorë” për çdo fëmijë të lindur apo ulje të taksave, në varësi të sa fëmijëve ke. Në Gjermani të mbahen më pak taksa nga paga nëse ke një fëmijë, akoma më pak nëse ke dy, e kështu me radhë.

Nëse dëshiron të blesh një shtëpi apo deri edhe makinë e paguan më lirë, pasi shteti mban më pak taksa në varësi të numrit të fëmijëve që ke. Në të gjitha vendet e zhvilluara, në ndryshim nga ne, punëdhënësit apo faktorë të tjerë do i krijonin gruas komoditete maksimale gjatë shtatzënisë e pas lindjes. Kjo jo se janë më të ndjeshëm se ne, por do të përballeshin me një gjobë të majme që do të shkaktonte dëmtim të rëndësishëm tek ata.

Mund të përmendja me dhjetëra strategji të tjera se si mund të stimulohen çiftet për të pasur fëmijë, por nuk mendoj se nuk dihen, duhet vetëm vullnet për të bëre ndryshimin. Ne duhet të reagojmë sa nuk është vonë. Duhen veprime konkrete nga ligjvënësit për ndryshime në rritjen e lindshmërisë dhe në stimulimin e çifteve që të kenë fëmijë. Gjenerata tjetër do ta vuajë këtë fakt, të jemi të bindur! Sigurisht që gjuha shkon ku dhemb dhëmbi, dhe unë, si mjek që merrem çdo ditë me çiftet infertile, duhet të them që realiteti në Shqipëri, për sa i përket kësaj fushe, është shumë i trishtë.

Në pothuajse çdo vend të Europës, ku ne duam të integrohemi, çifteve të cilët duan të kenë një fëmijë, por nuk munden për arsye mjekësore, shteti i qëndron pranë me mbulimin e një pjese ose të gjitha shpenzimeve të trajtimit të sëmundjes së tyre. Po, sëmundje… për ju që nuk e dini akoma… Infertiliteti është sëmundje. E dini që të kryhet një cikël i plotë fekondimi invitro (IFV) duhen mesatarisht 4.000 euro në Shqipëri, ashtu si në të gjithë Europën dhe deri në 15.000 dollarë në Amerikën e largët?!

Duhet menduar edhe fakti që çifteve mund t’u duhet më shumë se një cikël IVF për të pasur sukses, pra, kostoja është edhe më e madhe. Infertiliteti përllogaritet që prek 10% të popullsisë. Në Shqipëri, aktualisht kryhen çdo vit rreth 1000 cikle fekondimi in-vitro (shifra jo zyrtare) nga 3000 që duhet të bëhen në bazë të të gjithë përllogaritjeve të bëra nga Shoqata Europiane e Embriologjise dhe Riprodhimit Human (ESHRE). Kjo do të thotë që 2000 ciklet e tjera që mungojnë çdo vit nuk kanë mundësi ta marrin trajtimin.

Por 2000 cikle fekondimi in-vitro do të thotë 4000 partnerë, që vuajnë dhe të mos shtojmë rrethin familjar që gjithashtu janë të prekur. Mendoni për një moment të vetëm që keni mundësinë për të pasur një fëmijë vetëm nëpërmjet teknikave të riprodhimit të asistuar dhe nuk e kryeni dot se s’keni mundësi ekonomike. E trishtë! Duhet të theksoj që në Shqipëri mjekësia në këtë fushë nuk i ka zili asnjë gjë vendeve të tjera.

Cilësia e shërbimit është shumë e lartë. Nuk mendoj se ne duhet të shpikim ndonjë skemë të re ndihme për këto çifte’ por mjafton të adoptojmë skemat e vendeve të tjera, si mbulimi i shpenzimeve të barnave apo mbulimi i një pjese të trajtimit, dhe t’i përshtatim me mundësinë e shtetit tonë. Me siguri, që këto lajme do të kalojnë nga vëmendja e të gjithëve për pak ditë, por të jeni të bindur që pasojat do i kemi aty në një kohë jo të largët. Edhe i vetmi lloj i shqiponjës që fluturon ende në malet tona, është i rrezikuar. Mbrojini shqiponjat, bëni fëmijë, bëjeni për vendin tuaj!

*Mjek