Biden rrit kuotën e pranimit të refugjatëve në Amerike

994
0

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka rritur zyrtarisht kuotën e pranimit të refugjatëve në Shtetet e Bashkuara në 62.500 për këtë vit, duke cituar “një situatë të paparashikuar dhe urgjente të refugjatëve në botë”.

Ky vendim ka ardhur disa javë pasi Biden është përballur me kritika për vonim të vendimit për të zëvendësuar kuotën tejet të vogël të pranimit të refugjatëve, të prezantuar nga paraardhësi i Bidenit, Donald Trump.

Përmes një deklarate, Biden ka thënë se veprimet e tij “zhdukin shifrën historikisht të ulët prej 15.000 refugjatësh, të vendosur nga administrata e kaluar, e cila nuk ka reflektuar vlerat amerikane si komb që mirëpret dhe mbështet refugjatët”.

Shifrat e reja të pranimit të refugjatëve “dërgojnë mesazh të rëndësishëm se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë strehë e sigurt për disa prej njerëzve më të pambrojtur në botë”, ka thënë Biden përmes një deklarate.

Mirëpo presidenti amerikan e ka pranuar se SHBA-ja nuk do të mund të pranojë 62.500 refugjatë deri në fund të vitit fiskal, që përfundon në fund të muajit shtator, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe kufizimeve tjera.