Policia Financiare Italiane ka sekuestruar 6 milionë euro pasuri te 4 shtetasve shqiptarë në Torino. Gjatë sekuestrimit janë gjetur grumbuj para të thata të fshehura në kuti kartoni, në kavanoz e në veshje.
Operacioni i koduar “Shah mat mbreti” (Scacco al re) i Guardia di Finanza Italiana, ka denoncuar e duke vënë nën hetim nga autoritetet gjyësore, katër shtetas shqiptarë pronarë të disa kompanive në Torino me akuzën mashtrim fiskal e riciklim parash.
Atyre u janë sekuestruar 8 lokale, 1 sallë lojërash fati, 3 kompani, 3 autovetura të reja të tipit Audi R8, Porsche Macan e Range Rover Evoque si dhe vlerë monetare cash.
Hetimet janë kryer nga Drejtoria Ekonomiko-Financiare e Torinos e cila pas disa sinjalizimeve ka zbardhur jetën luksoze të shqiptarëve që nuk i deklaronin asnjë të ardhur shtetit italian, bëjnë të ditur burime për Ora News.
Thellimet e hetimeve zbardhën se këta persona kishin një rritje ekonomike të pajustifikueshme të sipërmarrjeve, duke krijuar dhe markën e tyre me një seri aktivitetesh të hapura në qytetin e Torinos.
Gjatë 3 viteve të fundit këto kompani i kanë fshehur sistemit fiskal italian rreth 2 milionë euro fitime e kanë kryer një evazion fiskal në mospagimin e rreth 800 mijë euro taksa.
Paratë e fituara ata i investonin cash duke blerë në të zezë aktivitetet të reja ekonomike e duke i shpenzuar në një jetë ekstra luksoze e dokumentuar dhe në profilet e tyre në rrjetet sociale.
Gjatë sekuestrimit janë gjetur grumbuj para të thata të prerjes 200 euro e 500 euro, të fshehura në kuti kartoni, në kavanoz e në veshje.
Gjatë përgjimeve të kryera nga policia financiare, njëri prej personave të vënë nën hetim shprehet se “avokati i tij i ka thënë se nëse Guardia di Finanza dëshmon se ai i ka blerë lokalet në të zezë, (me para cash), atëherë quhet riciklim. E jam plot me para e nuk i dëshmoj dot nga ka ardhur”, thotë ai.
Operacioni ka dokumentuar udhëtimet luksoze të kryera nga ata në vendet ekzotike e qe i publikonin në profilet e tyre facebook./OraNews