Ka ngritur siparin emisioni më i ri “Shqiptarët për shqiptarët”. Emisioni ka në thelb humanizmin dhe dashurinë, ndërsa do të drejtohet nga Ola Bruko që edhe më këtë program të ri ka në fokus çështjet e mprehta sociale.
Elvis Naçi tha në nisje të emisionit se do të jenë pranë shqiptarëve, kudo ku jetojnë si dhe do të ndajnë me ta humanizëm dhe mirësi. “Zemrat e shqiptarëve në këtë emision do bëhen një”, tha Naçi. Sakaq në studio është i pranishëm edhe këngëtari Sidrit Bejleri.
“Ftesa e mikut tim, më bëri të kthehem në ekran dhe së bashku me Elvisin do bëjmë vepra të mira”, u shpreh Sidrit Bejleri.
Emisioni nisi me statusin e Sidritit në FB për vajzën e tij, Sofia, që e humbi 19 muajshe.
“Doja të tregoja si mund të përballohet dhimbja. S’ishte e thjeshtë për t’u kaluar, por me njerëz e kalova. Me mbështetjen e Elvisit kalova atë ngjarje të rëndë”, u shpreh i përlotur këngëtari në studio.
“Sa më afër njerëzve, aq më shumë lehtësohet situata”, u shpreh Elvis Naci.
“Kjo është Sofi Sidrit Bejleri. Them është sepse do vazhdojë të jetë për mua, deri ditën që do mbyll sytë dhe do e takoj andej, dashtë Zoti! Sot do mbushte 10 vjeçe, por Zoti me plotfuqinë e tij e mori, ashtu dhe siç na e dha…Dikush mund të thotë, po ky pse na tregon dhimbjen e tij? Nuk e postova për këtë, por desha të krenohem me dhuratën që na e dha Zoti për 19 muaj dhe njëkohësisht t’ju tërheq vëmendjen se kushdo dhe kurdo mund të sprovohet, me të afërmit e tij… Askush nuk është i përjetshëm në këtë jetë.Të Zotit jemi dhe tek Ai kthehemi. Qofsh lule e Xhenetit Sofia jeme!”, ky ishte statusi i këngëtarit në 10-vjetorin e lindjes së vajzës që ka humbur.
Ndërsa imami Naci rrëfeu se ditën e humbjes së saj e ka mbajtur në krah trupin e vajzës dhe ka qenë pranë familjes./BALKANWEB/