Bum punësimesh, si Gjermania po tërheq emigrantët e kualifikuar nga Shqiperia.

1187
0

Gjermania po njeh një bum të vendeve të reja të punës. Numri i personave që kanë punuar në ekonominë më të madhe të Evropës, në 2017-ën, nuk ka qenë asnjëherë më i lartë.

Pavarësisht një popullsie të moshuar, 600 mijë njerëz më shumë janë punësuar gjatë 2017-ës, kryesisht falë një rritjeje të emigracionit.

Të dhënat janë publikuar nga zyra federale e statistikave, sipas të cilës, kjo përbën rritjen e 12 radhazi të vendeve të punës në Gjermani.

Forca punëtore është rritur në sektorin e shërbimeve, që përmbledh 3/4-at e punëtorëve, por edhe në prodhim dhe ndërtim.

Në anën tjetër, ka pasur një rënie të vendeve të punës me 0.3 për qind në sektorin e bujqësisë.

Numri i kontribuuesve në sistemin e sigurimit social është rritur ndërsa numri i punëtorëve me të ardhura të ulëta është ulur.

Në nëntor, shkalla e papunësisë në Gjermani po ashtu arriti nivelin më të ulët që nga koha e ribashkimit mes lindjes dhe perëndimit në 1990, me vetëm 5.3 për qind të popullatës aktive pa një vend pune.

Gjermania po tërheq edhe mijëra emigrantë të kualifikuar edhe nga Shqipëria.

Pas mjekëve, edhe infermierët shqiptarë po ikin drejt tregut europian të punës.

Urdhri i Infermierit, ku ata drejtohen për të marrë vërtetimin se u është njohur e drejta ta ushtrojnë këtë profesion në vendin e tyre, kërkesë kjo e vendit pritës, raporton se viti 2017 ka shënuar ikje masive të tyre.

Vetëm gjatë 2017 kanë ikur 617 infermierë dhe çdo ditë vijnë të pajisen të tjerë me këtë dokument”, thotë Sabri Skënderi.

Sipas Urdhrit të Infermierit, shqetësimi bëhet më i madh pasi po ikin infermierët që punojnë në spitale dhe kanë përvojë, ndërsa vendin e tyre e zënë infermierët e rinj.

Urdhi i infermierit shpreh rezerva edhe për cilësinë infermierëve që nxjerrin shkollat tona, pasi sipas tij kjo është një ndër arsyet që ata nuk preferohen nga tregu i huaj dhe në fillim punojnë si ndihmës infermierë.

Shkollat tona nuk ofrojnë praktikë. Ata atje duhet të bëjnë njëherë 500 orë praktikë që të fillojnë punë më pas infermierë”,thotë Skënderi.

Vetëm Gjermania kërkon mbi 20 mijë infermierë, ndërkohë që ky profesion është i kërkuar edhe në Kanada dhe SHBA.

a.ç/javanews/