DIten e sotme në Parlamentin grek, kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha i sigurt se Greqia do të zgjerohet në detin Jon, në kufi me Shqipërinë, me 12 milje.
Ai u shpreh i sigurt, pas deklaratës që dha më herët edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias.
Kryediplomati grek tha se shpejt Greqia do të ketë mundësinë për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në detin Jon.
Madje pritet që Dendias të vijë së shpejti në Tiranë, për këtë çështje.
Pas këtyre deklaratave, kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i vendit tonë, thotë se “detet e tokat nuk falen si rroba”.
Ky reagim vjen si përgjigje për një komentues, në profilin zyrtar të Ramës, në Facebook, i cili e pyet “Ujërat detare të Shqipërisë ja fale Greqisë?“.
Por Rama e fton të dëgjojë e të lexojë si dhe të ruhet nga gënjeshtrat.
“Të rroftë Skënderbeu në ballë kur në kokë ke Saliun dhe flet për “falje detesh” sikur flet për falje rrobash! Hajde shqipe hajde! Nuk falen detet e tokat si rroba o mik, prandaj para se të flasësh për tema të tilla, ulu lexo, rri dëgjo, informohu e pastaj shprehu dhe ruhu nga gënjeshtrat e mëdha se po të kapën në gjumë, i hëngre e ike në drejtim të paditur!”, sqaroi Rama, duke iu përgjigjur kështu shqetësimit se mundet që Shqipëria të ketë rënë në ujdi me palën greke për të falur një pjesë të detit.
Në vitin 2009 një marrëveshje u arrit mes dy qeverive, por ajo u rrëzua në atë kohë nga Gjykata Kushtetuese.