Mjeku Osmënaj: Koronavirusi është mbivlerësuar, nuk rekomandoj vaksinën për gripin

502
0

Edhe pse ditë pas ditë Ministria e Shëndetësisë raporton shifra treshifrore të rasteve të reja me Covid 19, radiologu Renato Osmënaj është optimist se jemi në fundin e pandemisë.

“Jam optimist se pavarësisht karantinës së zgjatur që kaloi vendi, jemi diku në bishtin e epidemisë. Shifra ditore rreth 150, edhe pse mund t’ju duket e lartë është në ulje sepse po llogariten dhe testimet në spitalet private. Ka ulje edhe të të sëmurëve rëndë”.

Ndaj mjeku radiolog përjashton një valë të dytë pandemike në vjeshtë.

“Është përzierje e fundit e valës së dytë me bishtin. Vala e parë ka qenë java e fundit e janarit me shumë të sëmurë çdo ditë. Në mars ishte vala e dytë, por ajo u ndërpre nga karantina. Tani është bishti i përzier me fundin e valës së dytë. Jemi shumë afër arritjes së imunitetit të tufës, po ecim paralel me Bergamon”.

Duke folur në tv Ora, mjeku thotë se koronavirusi është mbivlerësuar më shumë se duhet.

“I keni dhënë një kapteri, gradat e një gjenerali, por Covid-19 është sëmundje virale. Kemi ngritur duart shpeshherë pa arsye përballë tij. Një mirëmenaxhim i situatës nga strukturat epidemiologjike dhe sistemi shëndetësor, do të bënin që kjo copëz e mbetur e kësaj pandemie, edhe në Shqipëri të kalohej lehtë”.

Për menaxhimin e situatës, radiologu është kritik me shtetin dhe falënderues ndaj bluzave të bardha.

“Mirëmenaxhimi i pandemisë në Shqipëri sot u ka mbetur strukturave shëndetësore që fatmirësisht i kanë kaluar caqet e bamirësisë në raport me të sëmurët dhe janë në krye kudo, në çdo cep të Shqipërisë. Sot kemi një strukturë shtetërore të dëshpëruar, por kemi një strukturë shëndetësore të ngritur në këmbë që trajton të sëmurë, ditur pa ditur se ku janë, sesi janë, duke i ndihmuar dhe duke u dhënë shpresë dhe jetë. Kam sugjeruar rikthimin fuqishëm të mjekut të familjes”.

Mjeku Osmënaj kundërshtoi edhe nismën e qeverisë për të vaksinuar të gjithë popullësinë për gripin e thjeshtë.

“Duan të vaksinojnë popullësinë për gripin e thjeshtë. Nuk i rekomandoj askujt të kryejë vaksinim për gripin sakohë që nuk ka të dhëna që këto viruse nuk replikojnë me njëri-tjetrin. Fatalitetet e Lombardisë ka dyshime se kanë ardhur si pasojë e hipervaksinimit për sëmundje të tjera”.

Ndërsa lidhur me hapjen e shkollave, mjeku thotë se deri në klasën e nëntë shkollat duhet të hapen lirisht pa asnjë masë mbrojtëse.