Ja profesionet që do kërkohen dhe paguhen më shumë në 2018-n (në Shqipëri)

1087
0

Këto janë ndër profesionet më të kërkuara sot për sot tregun shqiptar punës, por edhe më të mirëpaguarat.

Viti 2018 ka nisur me ambicie për këdo. Krahas shëndetit, që është parësor, një punë më e mirë dhe më shumë të ardhura janë natyrshëm në planet e gjithsecilit, që punon e jeton në Shqipëri. Një mision i vështirë, teksa konkurrenca mes bizneseve është rritur, tregjet janë drejt maturimit, konsumi është i dobët, çka ul fitimet e sipërmarrjeve dhe e bën më të vështirë që ata të rrisin pagat e punonjësve. Kjo po shtyn dhe shumë individë, që të largohen nga vendi, në kërkim të një jete më të mirë.

Por, ka pse të bëheni pesimistë . Nuk është asnjëherë vonë të specializoheni në drejtimet që ka më shumë kërkesë në treg.  Ka disa profesione që janë të kërkuara dhe mund të pëfitoni paga të kënaqshme në 2018-n.

EPPC Albania&Kosovo, agjenci rekrutimi dhe trajnimi, pohon për “Monitor” se në vitin 2018, pritet të ketë një kërkesë më të madhe për pozicionet drejtuese, (Nivelet CEO-1 & CEO-2) dhe për ato pozicione që gjenerojnë shitje dhe biznes, për profilet më poshtë:

  1. Shitje/Marketing;
  2. Financë/Kontabilitet;
  3. Specialistë informatike;
  4. Inxhinier ndërtimi, mekanik, elektrik, informatikë;
  5. Njohës të gjuhës gjermane/angleze dhe franceze.

Pagat në kategorinë e drejtuesve variojnë nga 150,000 – 400,000 Leke Neto.

 

Si ishte tregu i punës gjatë vitit 2017

EPPC vlerëson se tregu i punës në Shqipëri gjatë vitit 2017 vazhdoi konsolidimin e mëtejshëm e funksionimit të tij si treg, ku në njërën anë qëndron oferta për punë dhe në anën tjetër kërkesa. Edhe gjatë 2017 kërkesa për punë tejkalon ndjeshëm ofertën, gjë që është veçanërisht e theksuar tek të rinjtë dhe te forca punëtore e pakualifikuar. Në EPPC ky raport ka qenë shumë i zhdrejtë, pra kërkesa për punë e këtyre kategorive qe rreth 50-70 herë më e madhe sesa ofertat e punëdhënësve. E thënë ndryshe, për një pozicion si p.sh. sekretare ka rreth 50-70 kandidatë/e që aplikojnë. Ky raport ndryshon për pozicione më të kualifikuara dhe sa më të kualifikuara pozicionet aq më të pakta janë aplikimet, madje për pozicione të larta p.sh.

Niveli drejtorëve të departamenteve CEO-1, nuk ka aplikime të përshtatshme me kërkesat e vendit të punës. “E veçanta e këtij viti është që tashmë punësimi ka filluar të shihet si një proces i dyanshëm, dhe mentaliteti i vjetër i punëdhënësve “që të mbajnë me bukë” sa vjen dhe zbehet. Ky ndryshim vihet re në pozicionet drejtuese dhe në pozicionet e mesme, ndërkohë që jemi larg ndryshimit përsa i përket pozicioneve të ulta dhe bizneseve të vogla lokale që nuk përfaqësojnë vlera dhe nuk kanë vizion për të ardhmen”, thonë ekspertët e EPPC.

Viti 2017 kristalizoi me tej ndarjet e pozicioneve të punës në 3 kategori kryesore, ku secila kategori ka veçoritë e saj.

Kategoria e parë, janë pozicionet drejtuese;

  1. Drejtues Shitjesh;
  2. Drejtues Finance;
  3. Drejtues Operacionesh (në industritë e shërbimeve);
  4. Drejtues Prodhimi (me profil tekniko-industrialë);
  5. Drejtues Burimesh Njerëzore;
  6. Drejtues Informatike;
  7. Drejtues Marketingu.

Kategoria e dytë, përbëhet nga specialistë të kualifikuar, si në

  1. Financë-Kontabilitet/Administrim;
  2. Shitës B2B (Senior) me profil teknik si informatikë, elektrik, mekanike, profile që ndihmojnë  në shitjen e produkteve që lidhen me këto profile,
  3. Specialist Marketingu;  si edhe
  4. Inxhinier Ndërtimi, Mekanik dhe Elektrik, etj.

Kategoria e tretë, janë punonjësit e pa kualifikuar, ose vendet e punës ku kërkohet pak kualifikim. Këto pozicione vazhdojnë të mos kenë ndryshim dhe punësimi i tyre bëhet kryesisht bazuar në kriterin e të qenit hallexhinj, ose nëpërmjet rrjetit shoqëror dhe familjar. Njëkohësisht kjo kategori nuk shihet si “punësim i dyanshëm”, paguhet pak, paga që ofrohet është e panegociueshme dhe nuk shoqërohet me rritje të herëpashershme (vjetore) dhe kryesisht nuk vlerësohen mjaftueshëm në çdo aspekt.

Përtej këtij kategorizimi, edhe gjatë 2017 mbetet i pandryshuar vlerësimi i punëmarrësve për punëdhënësit e huaj. Ndarja punëdhënës i huaj dhe punëdhënës vendas mbetet e pandryshuar, punëdhënësit e huaj janë më të preferuar për të gjithë kategoritë e punëmarrësve./monitor/

 

Profesionet që paguhen më shumë

Sipas EPPC, kategoria e parë, ajo e drejtuesve është kategoria që paguhet më shumë, ku gjatë vitit 2017, punëdhënësit janë të gatshëm që për drejtues të mirë (CEO-1/CEO-2), të mos kursehen, por të paguajnë rreth 20-30% më shumë për të patur në skuadër drejtues profesionistë, me përvojë dhe me vlera shoqërore aq të domosdoshme në kohët që jetojmë. Pagat në këtë kategori variojnë nga 150,000 – 400,000 Leke Neto.

Industritë që paguajnë më mirë janë:

  1. Sektori Bankar/Financiar;
  2. Mineralet, Nafta & Gazi;
  3. Informatika (Zhvilluesit);
  4. Farmaceutika/Kujdesi shëndetësor;
  5. Shitja me Pakicë;
  6. Distribucioni.

Kategoria e dytë, e specialistëve ka njohur një rritje prej rreth 10%-20%  (duke marrë në konsideratë bazën e ulët) dhe kjo vetëm por ato pozicione që kërkojnë aftësi të veçanta, si p.sh. financier që njohin programe të caktuara, inxhinierë që kanë eksperiencë në projekte të veçanta, shitës ekzekutivë që njohin industrinë ku do të shesin, etj.

Kategoria e tretë ka mbetur e pa ndryshuar, me paga në nivele të njëjta me më parë në harkun 30.000-40,000 lekë neto.