Për çfarë duhen gjykatat kur kemi ambasadën amerikane?

906
0

Ambasada amerikane ka refuzuar të pajisë me viza disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë.

Lajmi bëhet i ditur në profilin zyrtra në rrjetin social Facebook të selisë diplomatike.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza”, njofton ambasada.

Ambasada nuk ka publikuar emrat dhe as ka komentuar arsyen e refuzimit, duke u bazuar në të drejtën e konfidencialitetit.

Për shkak se të dhënat e vizave janë konfindenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale”, shkruhet në njoftim.

Por gjithësesi diplomatët amerikanë kanë dhënë indicie të mjaftueshme për të kuptuar arsyen e refuzimit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”.

Dhe më tej:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar. Departamenti i Shtetit ka një autoritet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se zotëruesi i vizës mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri”.

Sipas njoftimit të ambasadës, një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij kanë abuzuar me vizat.

Po të tjerët?

Fakti që ‘ambasada e ka marrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vettingut’ të lë të dyshosh se sipas selisë diplomatike, bëhet fjalë për zyrtarë të korruptuar.

Kjo përforcohet nga shprehja  se ‘ambasada i merr seriozisht akuzat për korrupsion’.

Natyrisht, është në të drejtën e një selie diplomatike të lëshojë ose të refuzojë viza.

Por fakti që një refuzim i tillë bëhet publik nuk ka të bëjë vetëm me një vendim të ambasadës.

Duket se kemi të bëjmë qartazi me një qëndrim të vendosur kundër ‘gjyqësorit të korruptuar’.

Po kush dhe si e përcakton se një gjyqtar apo prokuror është i korruptuar? A mjaftojnë vetëm akuzat apo dyshimet?

Një akuzë e tillë mund të marrë vulën e vërtetësisë vetëm me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Për sa kohë nuk ekziston një i tillë, çdo hamëndësim i zotit Lu apo diplomatëve të tjerë mbetet hamendësim.

Është në të drejtën e tyre të hamendësojnë. Por nëse na e shesin këtë si ‘përpjekje kundër korrupsionit’, duket se zoti Lu dhe ambasada amerikane nuk na nxisin drejt ligjshmërisë.

Në qoftë se ambasadori amerikan i jep vetes tagrin për të përcaktuar se cili zyrtar është i korruptuar dhe cili jo, atëherë për çfarë shërben gjykata? /Hashtag.al