Viti shkollor mund të vazhdoje deri në muajin korrik për shkak të koronavirusit

736
0

Nëse mësimi në shkolla dhe universitete nuk fillon brenda muajit maj, atëherë viti shkollor do të zgjatet me një muaj deri në korrik.

Lajmi u bë publik nga ministrja e Arsimit Besa Shahini, e cila u shpreh se në rast se mësimi do të shtyhet me një muaj, edhe aplikimet për në universitet do të shtyhen me një muaj.

Po ashtu, Shahini sqaroi maturantënt se nëse temat e zhvilluara online gjatë këtyre javëve, nuk do të përsëriten në shkollë kur të rinisë mësimi, ato nuk do të përfshihen në provimet e maturës.

Ndërsa sa i përket nisjes së shkollava të lara, Shahini sqaroi se nëse do të krijohet nevoja, do të shtyhen po me një muaj edhe aplikimet për në universitet.

“Do donim të mbyllej viti në kohë, nëse jo, në korrik. Së paku nga korriku do donim që maturantët të kishin diplomat, për të filluar shkollën e lartë. Nëse nuk arrijmë t’i hapim shkollat në maj, duhet ta shtyjmë pak vitin shkollor. Maturantët i kanë zgjedhur lëndët që duan t’i bëjnë në maturë dhe kanë përzgjedhur ku duan të regjistrohen në fakultet. Nuk ka ndonjë konfuzion në lidhje me ato se ku aplikojnë maturantët dhe si shkon ky proces, e vetmja gjë që do vendosim, është nëse shtyhen datat e aplikimit për në universitet, që e kemi në dorë, universitetet kanë mirëkuptim se jemi në situatë pandemie. Nëse na shtyhet viti shkollor për një muaj, i shtyjmë datat e regjistrimit për në universitet. Në këtë pikë ku jemi nuk është e nevojshme, por nëse do të jetë, do t’i shtyjmë datat për aplikim në universitet”, u shpreh Shahini për Report Tv.

Ky vendim pritet të merret në javët e ardhshme, në varësi të kurbës së të infektuarve me Covid-19 në vend.

Lidhur me nxënësit të cilët nuk kanë mundësi të ndjekin mësimin online dhe kanë kërkuar përsëritjen e vitit mësimor, Shahini tha se do të lejohet përsëritja e vitit vetëm për raste sporadike, por jo si brez i tërë.