Qarkullimi deri në 17.30/ Ja si do funksionojë orari i ri, dhe kur mund të lëvizin makinat

5317
0

Në vendimin e fundit lidhur me masat për emergjencën e koronavirusit, u caktua si orar i ri lëvizje nga ora 05.00 e mëngjesit deri në orën 17.30 të pasdites.

Gjatë këtij orari qytetarët do të kenë 90 minuta kohë për të lëvizur për nevojat e tyre, duke marrë më parë autorizimin.

Po me makinat çfarë ndodh? Urdhri i ri i Ministrisë së Shëndetësisë nr. 256, datë 10 prill 2020, thotë se është zgjeruar fasha orare e lejuar për qarkullimin e automjeteve nga ora 05:00 deri në 17:30. Por sërish lëvizja lejohet me kufizime.

Policia e Shtetit iu drejtua përmes faqes personale në Facebook të Edi Ramës, drejtuesve të mjeteve të kategorive të lejuara dhe të autorizuara, për të bërë këtë sqarim: “Kjo fashë orare nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve të mësipërme. Është e lejuar vajtja në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-08:00 dhe kthimi nga puna në fashën e dytë orare 16:00-17:30.

Lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen me penalitetet përkatëse”.

Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit thotë se ka nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin.