OPINION nga Ermal Telhai
Alketa është një prezantuese dhe sipërmarrëse e suksesshme. Unë nuk mbaj mend që Alketa të ketë paraqitur vulgun në formatet televizive ku është autore apo moderatore, nuk e kam parë asnjëherë që të identifikohet nga dekolteja e ekzagjeruar stil “Dubai”, as me gusto të florinjta luksi ordiner që të vjen pështirë, apo të jetë bërë ndonjë herë lajm me historira të brendshmesh që rrjeti i ka të zakonshme. Kaq mund të shoh nga jashtë, pasi as e njoh nga afër, as e kam takuar kurrë personalisht.
Por këto dy ditë, u “thye” rrjeti, nuk guxoj të hap llogaritë në rrjetet sociale se qënka bërë hataja. E pse e gjithë kjo?! Sepse Alketa performoi në Sanremo.
Nuk e kam kuptuar dhe nuk kam për ta mirëkuptuar kurrë urrejtjen që ne kemi dhe vjellim si shoqëri ndaj sipërmarrësve dhe njerëzve të suksesshëm! Jemi aq të infektuar, sa pjesën më të madhe të hapësirave sociale, i kemi shndërruar në toksike.
Ndoqa prezantimin e saj dhe u binda që paskëshit pasur të drejtë. Ta pushkatojmë!
Alketa ishte veshur në mënyrë të hijshme. Tolerohet kjo?!
Alketa flet shpejt dhe rrjedhshëm, si në shqip, ashtu edhe në italisht (dy herë më e vështirë ta bësh në gjuhë të huaj) dhe ata që kanë njohuri mbi të folurën në publik, e dijnë mirë se sa e vështirë është një gjë e tillë. Alketa e bëri shumë mirë. Tolerohet kjo?!
Alketa tha në monologun e saj që ne kemi qenë vend i izoluar që nuk toleronim “shfaqje të huaja” por që adhuronim stilin Italian në fshehtësi. Ne në fakt kemi qenë djep lirie dhe demokracie para 90-s. Nuk tolerohet apo jo?!
Alketa foli shqip në një prej skenave më prestigjoze të këngës në botë duke thënë që i do të gjithë shqiptarët. Mund të tolerohet kjo?!
Alketa tregoi që ka ego dhe i shërben asaj, a thua ne të tjerët nuk bëjmë të njëjtën gjë me çdo mjet. Edhe kjo e patolerueshme!
Alketa falënderoi Italinë për modelin e kulturës që na ka ofruar, për mundësinë që i dha Ermal Metës të fitonte Sanremon në 2018, për mundësinë që i dha asaj të flasë prej aty në emër të kujtdo që do donte por s’ka arritur dot. Tolerohet kjo “tradhti kombëtare”?!
Është merita e saj që ka arritur të jetë aty ku është, në skenë dhe në sipërmarrje. Ne të tjerët në vend të vrerit, ndoshta duhet ta harxhojmë këtë energji për t’i vënë gishtin kokës, për të përmirësuar veten dhe për të besuar që çdo gjë është e mundur!
Në fakt është paradoksale por reale, që në të njëjtën kohë që linçojmë shqiptarët e suksesshëm të artit, shkencës, sipërmarrjes, krijimtarisë, jemi duke vendosur në peidestal deputetët injorantë me shkolla të blera që na argëtojnë të enjteve, analfabetët funksionalë që paguajmë me taksat tona por që asnjë fjali nuk e mbyllin dot pa gabime drejtshkrimore, këngëtarët që zëri nuk u hyn në punë, kriminelët me pushtet, gafaxhinjtë e të tjerë të ngjashëm.
Njerëzit si Alketa, na i zbardhin faqen!
Gjetiu janë ata që na i nxijnë!