Nis sot rivlerësimi i banesave, rruga që duhet të ndiqni për të perfituar

870
0

Sot ka hyrë në fuqi ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, që u miratua në Kuvend në fund të vitit që kaloi.

Ky ligj, që është konsideruar si një “amnisti” e radhës, ul shumë detyrimin që paguhet në rast të shitjes së banesës, ose një objekti tjetër të paluajtshëm, i cili normalisht është sa 15% e fitimit.

Sipas këtij ligji, rivlerësimi mund të bëhet me vlerën e tregut të pasurisë bazuar në një akt ekspertimi lëshuar nga një ekspert i licensuar. Tatimi që individët do duhet të paguajnë për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3% e diferencës mes vlerës së rivlerësuar si më lart dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar më parë (për të cilën është paguar tatimi më herët).

Kjo ka vlerë vetëm për qytetarët. Ndërsa tatimi që personat juridikë do duhet të paguajnë në këtë rast është 5% e diferencës mes vlerës së rivlerësuar dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.

Ligji më i fundit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i ngjashëm me të tanishmin, ka qenë në fuqi për një periudhë të kufizuar nga 20 gushti 2016 deri më 31 maj 2017 (afati fillestar ishte 28 shkurt 2017). Në ndryshim nga ligji i ri i tanishëm, në bazë të ligjit të mëparshëm, tatimi i pagueshëm nga individët ishte 2%, ndërsa nga personat juridikë 3%.