Hermes Nikaj, i njohur edhe si Zogu i Tiranës ka plot 5 javë që ndodhe në “kafaz” mes të fortëve problematikë. Për herë të parë ai ka folur nga burgu, ku ka zbuluar se si ndihet dhe kush janë personat që e takojnë në qeli.
Në një rrëfim për “Panorama.al”, Hermes është shprehur se kjo situatë e ka bërë që të vuaj dhe të jetë nën kujdesin mjekësor me qetësues dhe serume. Duke pretenduar se është i pafajshëm, Nikaj rrëfen se si iu shkatërrua jeta brenda një nate.
I pyetur se kush shkon për ta takuar në burgun 313, 26-vjeçari shprehet: “Vijnë familjarët, po mua më vjen turp! Unë s’jam mësuar kështu, këto pranga përbuzin dinjitetin tim”.
Ndërsa i pyetur nëse e kanë vizituar mikeshat VIP, Hermes tha: “Te Drejtoria e Policisë vinin më sillnin ushqime, ndërsa këtu jo sepse nuk lejohet. Mua më vjen keq, se unë isha njeri i medias dhe në lajme çfarë nuk u tha për mua, po askush nuk erdhi të më pyesë këtu personalisht. Ky rrëfim i imi është eksluziv”.
Ndërkohë Zogu i Tiranës ende nuk di gjë për fatin e tij, pasi është ende nën hetim. “Nuk e di sepse jam ende nën hetim. Unë kërkoj një masë më të butë, siç është arrest shtëpie apo paraqitje me detyrim. S’kam pasur asnjë precedent penal të mëparshëm, jam me arsim të lartë dhe kjo situatë më ka bërë ta vuaj dhe të jem nën kujdesin mjekësor me qetësues dhe serume”, është shprehur ai.