Një i moshuar ka kaluar 7 vitet e fundit të jetës duke fjetur kryesisht në një park pasi është gjendur me një situatë të vështirë ekonomike.
Sipas mediave të huaja, Brian, 73 vjeçar, me origjinë nga Zelanda e Re, jeton në strehën e tij “me tre këmbë” në Cornwall që nga 2012, kur vendosi të jetojë “jetën më të thjeshtë”. Ai e quan veten “roje jozyrtar i natës” të parkut.
“Kur unë erdha për herë të parë këtu në shtator të vitit 2012 unë nuk mund të vendosja se ku doja të shkoja”, shprehet Brian për mediat.
Madje, sipas Telegrafit, ai është i njohur në zonë dhe shpesh njerëzit i sjellin atij ushqim dhe ndalen tek ai për të konsumuar ndonjë bisedë.
Sidoqoftë, jeta e tij sot është një kontrast me vitet e tij të rinisë. 73-vjeçari zbuloi se ai ishte pilot i linjës ajrore dhe ka qenë në vendet që shumica e njerëzve vetëm mund t’i ëndërrojnë. “Hawaii dhe Fiji janë si parajsa në tokë”, thotë ai ndërsa kujton kohërat e vjetra.
Ai tregon se ka punuar për OKB-në në Vietnam dhe ka parë kuptimin e vërtetë të varfërisë ndërsa punonte në disa nga vendet më të varfra afrikane në vitet 1970.
Kur ai dështoi në ekzaminimin e tij mjekësor, humbi licencën e pilotit dhe u transferua në Londër për “një fillim të ri”. “Karriera ime mbaroi shumë befas, kështu që fillova një tjetër në Londër”, rrëfen ai.
Ai punoi si kuzhinier në Londër, Birmingham dhe Torquay por jeta e tij mori një kthesë dramatike në mesin e viteve ’60. Brian, i cili ka një djalë në Zelandën e Re, tha se ka të ngjarë të kalojë Krishtlindjet vetëm në strehën e tij, por një mik i ngushtë të cilin ai dikur e ndihmonte ndërsa ishte në rrugë, do t’i sjellë darkë Krishtlindjesh.