Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka hapur enkas një departament të ri për vizat në kuadër të përgatitjeve për ligjin e ri të migracionit i cili do të hyjë në fuqi në mars të vitit 2020
Për të lehtësuar punën e mbingarkuar të ambasadave , është ngritur një departament enkas për vizat. Këtë e bën të ditur ministria me anë të një njoftimi në Twitter.
Në njoftimin me hashtag #,mondaymotivation, Ministria e Punëve të Jashtme gjermane prezanton dy punonjës të saj, Jan Freigang dhe Feride Özdemi, të cilët do të merren në Berlin me vizat për punëtorët e kualifikuar.
Gjermanisë i nevojiten punëtorë të kualifikuar, kryesisht në sektorin e shëndetësisë, teknikës informative dhe zejtarë të kualifikuar. “Ne do të kujdesemi këtu që të përshpejtojmë procedurën për ata kandidatë për të cilët ka nevojë më shumë ekonomia gjermane,” – thotë Jan Freigang në videoklipin e publikuar në twitter. Feride Oezdemir shton se” kërkesa për vizë bëhet në ambasada dhe kërkesa më pas kalohet në Berlin”.
Ligji i ri i migracionit për punëtorët e kualifikuar u miratua në qershor të këtij viti nga parlamenti gjerman dhe do të hyjë në fuqi më datën 1 mars 2020.
Ky ligj parashikon që persona të kualifikuar nga e gjithë bota të marrin një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë, pa pasur nevojë të kenë kontratë pune, sikurse ka qenë deri tani.
Përveç profesionit ata duhet të kenë edhe njohuritë elementare të gjermanishtes.