“Më pëlqen ta bëj xheloz Aleksin” Nga planet për familje të madhe deri tek daljet në lokalet e Shkodrës me ish-deputetin. Si ndryshoi jeta e Rudinës

2198
0

Filloi si një romancë e madhe historia e Rudinës dhe Aleksit, por mori fund brenda 3vitesh. Foto, deklarata dashurie e gjithçka tjetër u shua, kur moderatorja nisi një lidhje të re me ish-deputetin Mark Frrokun.

Fejesa e më pas ndarja nga regjisori Eduart Grishaj kaloi pa bujë në portale, pasi në atë kohë aktorja e humorit ende nuk ishte e njohur.

Por gjërat ndryshuan pas largimit nga Alpazae dhe një historie të re dashurie. Ashtu si ajo vetë deklaroi në media, këtë herë Rudina e kishte gjuajtur vetë e para mekanikun që i rregulloi makinën.

Pas dasmës mediatike dhe vogëlushes së tyre, duket se tashmë ajo ishte afirmuar në shtypin rozë, madje kishte bërë të famshëm edhe ‘qerosin’ e saj, Aleksin. Rudina tashmë kishte kaluar nga vajza imcake që imitonte Topallin, në një femër tërheqëse.

Nga Teatri në “Dance with me”, më pas në një format të sajin, ajo diti ta menaxhojë të gjitha benefitet që fama po i jepte. Në postimet e saj në rrjetet sociale, aktorja dhe Aleksi dukeshin të pandarë, ku mes dedikimeve të dashurisë dhe batutave, çifti dukej se po jetonte ditë të arta.

Në disa intervista të dhënë për Gazetën Shqiptare 2 vite më parë ajo nuk linte rast pa folur për burrin e saj, duke treguar se i pëlqente ta provokonte. Më tej ajo zbuloi se të dy kishin menduar për një familje të madhe me motra e vëllezër për Viktorian.

Pjesë nga intervista dhënë për Gazeta Shqiptare në 2017

Ju kemi parë shumë sensuale në kërcimet e “Dance with me”. A është paksa xheloz bashkëshorti juaj?

Ma kanë thënë edhe të tjerë që kam dalë sensuale, nuk ka qenë qëllimi im. Falënderoj Albi Nakon që ka nxjerrë një anë tjetër timen, megjithatë pika ime e fortë është humori. Nëse unë kam nxjerr në pah sensualitetin tim, mendoj se kjo e plotëson figurën time. Bashkëshorti ka një xhelozi shumë seksi. Unë ingranohem që ta bëj atë sa më shpesh xheloz, sepse kur ai bëhet xheloz, më pëlqen shumë.

Jeni edhe një nënë e përkushtuar edhe një femër në karrierë. Si ia arrini që i bëni të dyja?

Në përkushtimin tim, ndaj kam gjetur një harmoni, sepse kam një bashkëshort që më ndihmon jashtëzakonisht shumë, më jep kurajë më shtyn të pranoj projekte të ndryshme dhe më ndihmon dhe fizikisht me gocën. Është edhe nëna ime që vjen nga Lezha për të më ndihmuar me gocën.

Viktoria është një nga gëzimet më të mëdha të jetës tuaj. A keni menduar që të sillni edhe një tjetër gëzim në jetë së shpejti?

Ajo është gëzimi më i madh i jetës sime. Çfarëdolloj gjëje të jem duke bërë dhe sado e stresuar të jem, nëse mendoj për Viktorian unë buzëqesh direkt. Në momentin që kam atë çdo gjë më zvogëlohet. Sigurisht që shpresoj që ajo të ketë shumë motra e vëllezër, por për momentin nuk e imagjinoj fare.


Por duket se romanca u shua shumë shpejt. Do të ishte pranvera e këtij viti kur nën zë nëpër Tiranë do të përflitej për një tjetër çift të sapokrijuar. Rudina Dembacaj dhe ish-deputeti Mark Frroku ishin parë së bashku në lokalet e Shkodrës. Por nga ana tjetër në rrjetet sociale ajo dhe Aleksi vijonin të postonin foto e video së bashku, duke bërë konfuz të gjithë. Ajo që filloi si një thashethem urban, shpejt nisi të faktohej. Vetë aktorja pranoi divorcin, duke mos dhënë detaje për lidhjen e re. Do të ishte inaugurimi i restoranti të ri, në ambjentet ku familja Frroku ka pasur më herët një kompleks si dhe deklarata e vetë Rudinës që falënderoi publikisht Markun ajo që do konfirmonte lidhjen e këtij çifti.

E pyetur nga Gazeta Shqiptare një javë më parë, lidhur me marrëdhënien e saj me Mark Frrokun, aktorja e kaloi pyetjen si i ka hije një aktoreje humori, “Më keni çmendur me këtë pyetje”. Por duket se tani që gjithçka është konfirmuar, dyshja ka pranuar se mes njëri-tjetrit ka përfunduar dashuria, por jo raporti i mirë që kanë. Vetëm ditët e fundit Rudina e para ka postuar një foto me Aleksin, duke thënë se tashmë ai është beqar. Të njëjtën foto e ka ripublikuar edhe vetë Aleksi, duke shkruar se të dy janë beqar. Por ndryshe nga sa shkruhej në foto, për të ngatërruar mediat dhe publikun, Rudina tashmë e ka gjetur dashurinë në krahëët e Marku Frrokut.(GSH.al)