Të pasurit po bëhen më të pasur dhe të varfrit më të varfër!

897
0

EDITORIAL. Që pabarazia në Shqipëri është rritur vitet e fundit, ky është tashmë një fakt që po pranohet dhe konstatohet hapur nga institucionet ndërkombëtare. Në prezantimin e Raportit të Tranzicionit 2016-2017, drejtuesit e ekonomistët e BERZH deklaruan se pothuajse të gjitha vendet e marra në vrojtim (36 në total, ku përfshihen ato të Europës Juglindore, Azia Qendrore, por edhe pjesa juglindore e rajonit të Mesdheut) deklaruan rritje të pabarazisë ekonomike. 30% e shqiptarëve në sondazhin e fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mendojnë se pabarazia është rritur.
Perceptimi që rritja ekonomike në Shqipëri nuk është mirëshpërndarë, është konfirmuar edhe nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili krahasoi rritjen gjithëpërfshirëse me rritjen ekonomike pothuajse në të gjitha vendet në raportin e tij të fundit “Rritja gjithëpërfshirëse dhe zhvillimi”. Në këtë klasifikim, Shqipëria është përfshirë në zonën portokalli, atë me përqendrim të lartë ku PBB e vendit u zgjerua me ritme më të larta se rritja gjithëpërfshirëse. Me fjalë të tjera, nga rritja ekonomike e vendit ka përfituar pakica, ndërsa ecuria pozitive ekonomike nuk është përkthyer në një shtim të mirëqenies për shumicën. Për më tepër, të dhënat tregojnë se raporti mes rritjes së PBB-së dhe rritjes gjithëpërfshirëse është përkeqësuar 5 vitet e fundit në Shqipëri. Trendi tregon për një rënie 5.6% të këtij raporti, çka tregon se shpërndarja e rritjes ekonomike ka pasur zhvillime negative, ku përfitimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë te pakica.
Por, pse modeli ekonomik nuk ka arritur të sigurojë rritje gjithëpërfshirëse. Në dekadat e tranzicionit ekonomia u zhvillua në mënyrë spontane, pa ndonjë model të strukturuar, e orientuar kryesisht nga ndërtimi dhe tregtia, ndërsa nuk u vu theksi te sektorët me vlerë të shtuar dhe shfrytëzimin e avantazheve konkurruese, që do të siguronin një zhvillim më të qëndrueshëm. Informaliteti dhe korrupsioni, ndër më të lartët në Europë e rajon, e kanalizuan paranë në një grusht njerëzish, duke zbehur efektet pozitive të rritjes së shpejtë ekonomike, që u përjetua deri në 2009-n.
Më pas kriza globale, që çoi në ngadalësimin e rritjes, shkrehja e administratës në vitet e fundit të qeverisjes së djathtë, periudha e ndërrimit të pushteteve e zhvendosën vëmendjen nga çështje thelbësore të zhvillimit ekonomik. Qeveria e re në 2013-n erdhi me filozofinë e taksimit të të pasurve dhe lehtësimit të të varfërve, duke rritur tatim fitimin dhe të dividendit për bizneset dhe për individët me të ardhura të larta dhe duke e ulur për ata me paga të ulëta.
Por kjo politikë që synonte të ulte pabarazinë duket se bëri të kundërtën. Përballë taksave më të larta bizneset frenuan investimet (që nënkuptojnë më pak vende pune të hapura në ekonomi), kreditë me probleme u rritën, teksa industria, sidomos ajo përpunuese u bë më pak konkurruese. Taksat e rritura e nxisin ekonominë informale, sidomos në një vend si ky i yni ku administrata e dobët dhe politike, nuk arrin të ushtrojë presionin e duhur, e për pasojë shteti privohet nga të ardhura të rëndësishme në buxhet. Kjo, për pasojë rezulton në pamundësinë që ka shteti për të kthyer diçka mbrapsht për më të pafavorizuarit.
Edhe ajo ulje taksash për pagat e ulëta, pikërisht për hir të favorizimit të shtresave më të varfra të shoqërisë, iu mor atyre mbrapsht përmes rritjes së barrës fiskale (akciza dhe taksa të tjera, shpesh të fshehura), që bizneset i transferuan te konsumatori përmes çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, në përpjekje për të mbajtur të pandryshuara marzhet e tyre të fitimit.
Varfëria e lartë është e dukshme dhe nuk arrin të fshihet as nga statistikat. Edhe sot pas më shumë se 20 vite tranzicioni, shqiptarët shpenzojnë gati gjysmën e buxhetit për nevojat bazike (ushqime), madje ka një rritje me 2 pikë përqindje vitin e fundit, për të arritur në 48.7%, sipas anketimit të fundit të buxhetit të familjeve të INSTAT. Për krahasim vendet e tjera të rajonit e kanë këtë peshë midis 33 dhe 37% (Kosova e ka 43%) dhe ne jemi në renditje me shtetet afrikane si Nigeria apo Kenia (të dhënat e Forumit Ekonomik Global). Në procesin e konvergjencës (rritje më të shpejtë me synim kapjen e mesatares së Bashkimit Europian), Shqipëria ka ngecur vitet e fundit, duke mbetur në 30% të mesatares së të ardhurave të Bashkimit Europian.
E dhëna më e fundit, që vjen indirekt nga tregu i pasurive të paluajtshme është akoma edhe më trishtuese. Ka një rritje të ndjeshme të shitjes së apartamenteve në zona të preferuara dhe mjaft të shtrenjta të Tiranës, me para në dorë muajt e fundit, që po paguhen me të ardhura të padeklaruara që vijnë nga ekonomia e zezë. Një tregues i qartë ky i rritjes së pabarazisë, teksa disa individë po arrijnë të pasurohen me shpejtësi brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe po tërheqin rritjen e shpejtë të çmimeve të apartamenteve, në kurriz të atyre që do t’u duhen tashmë më shumë vite punë e më shumë kursime të mundimshme për të blerë shtëpinë që mund ta kenë ëndërruar gjithë jetën, por që po bëhet “mollë e ndalueme” për ta. Një mesazh dekurajues ky për këdo që ka shpresuar se talenti, aftësitë dhe dëshira për të punuar e ecur përpara një ditë do të shpërblehen, pa pasur nevojën e përkatësive partiake, apo mbështetjeve të dukshme e të padukshme të politikëbërjes e vendimmarrësve…