Sektori i ndërtimit vijon rritjen, ku vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti në rang vendi janë dhënë 555 leje për të ndërtuar, ndërsa sipërfaqja e ndërtimit për gjysmën e parë të vitit arrin një rekord historik me afro 1 milionë metra katrorë sipërfaqe objektesh.
Instituti i Statistikave raporton se për periudhën Prill-Qershor të këtij viti u dhanë 310 leje ndërtimi, ku 111 u regjistruan në kryeqytet, ndërsa interes të shtuar ka pasur edhe për zonat e bregdetit, si Durrësi dhe qarku i Vlorës.
Në total vlera e veprave që do të ndërtohen kap shifrën e 346 milionë eurove, duke njohur një rritje të fortë afro dyfish krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
61% të sipërfaqes që do të ndërtohet e zënë banesat e rezidenteve. Po në këtë periudhë bashkitë kanë miratuar 11 leje për hotele, 25 për qendra tregtare dhe 38 për ndërtesa industriale.
Por pavarësisht interesit të shfaqur për ndërtim nga ana e investitorëve, kredia për këtë sektor ka një rënie të ritmit nëse krahasohet me fundin e vitit 2018, ndërsa për Qershorin u rrit me 50 milionë lekë.
Tv Klan