Ndrenika thyen heshtjen: Ja çfarë mendoj për teatrin

966
0

Robert Ndrenika përmes një komunikimi telefonik ka reaguar dje për thirrjet që i kanë bërë kolegët e tij që të kthehet në sheshin e teatrit. Përmes telefonit, Robert Ndrenika u shpreh: “Lexova sot ‘Gazeta Shqiptare’, çfarë është thënë për mua. Dua t’u thuash atyre, se nuk kam bërë asnjë gabim të më falin ata.

Megjithatë, edhe nëse me falin, nuk është ndonjë gjë e madhe, se unë për vete kam falur ndërkohë organizatën bazë të partisë së teatrit, që ishte e përafërt me një çerdhe gjarpërinjsh, edhe për neve, por edhe për njëri-tjetrin. Dhe unë pa bërë gjë më kanë nxirë jetën dhe i kam falur. Jo vetëm mua, por ua nxinë jetën edhe fëmijëve të mi nëpër shkolla”.

Ndrenika shtoi se, “edhe kur u kthyen në Parti Socialiste, prapë i fala, se më thanë rri urtë se do të qëllojmë edhe në mish. Këtë ma kanë thënë në vitin 1991-1992, ‘neve do të dimë të qëllojmë edhe në mish’. Pra, edhe faljen nga unë e kanë ata që po më falin mua. Edhe një gjë, të gjitha deklaratat e mia që kam bërë, i kam bërë për të qenë transparent dhe i qartë për komunitetin teatror se nuk më bëhet vonë as për kryeministra, as për sekretarë partish, as për kryetar bashkie. Unë kam dashur të jem i qartë me shokët e kolegët e mi”.

Aktori i njohur shtoi se, “unë në deklaratat e mia, gjithnjë kam dashur një teatër të ri e bashkëkohor në Tiranë. Kam qenë shumë i qartë me kolegët e mi. Dhe atë kam pasur qëllim kryesor. S’më bëhet vonë, le të mendojnë si të dojë qeveria, kam dashur gjithnjë të ndërtohet teatër i ri, e këtë e kam thënë para se të shtrohej problemi që ka dalë tani. Edhe kur thoshte para 20 viteve ministri Edi Rama se donte të bëhej kulla dhe poshtë të bëhej teatri. Unë kam qenë gjithmonë që teatri të jetë më vete, teatri duhet më vete si kisha, si xhamia, si shkolla, si universiteti, ndaj kemi luftuar para 20 vitesh”, e mbylli prononcimin e tij aktori Robert Ndrenika.

Të premten, në sheshin e teatrit, regjisori Robert Budina i bëri thirrje Ndrenikës të vinte në sheshin e teatrit. Mes të tjerash, Budina tha: “Edhe nëse kolegët tanë kanë mbajtur qëndrim kundër nesh, po ka ndërruar mendje, këtu është i mirëpritur. Përgëzoj në këtë rast miken e kolegen time, Rajmonda Bulku. Bravo Monda, je e mirëpritur. Siç janë të mirëpritur edhe të tjerët, edhe Berti. Bert Ndrenika. E kam vëlla, e kam shok, e kam mik. Po të dojë, e ka vendin këtu dhe askush nuk e fyen Bertin. Kushdo qoftë që mendon se kauza jonë është e drejtë, të vijë. Nuk duhet të fyejmë asnjërin, ky shesh këtë vlerë ka, qytetarinë. Ne jemi qytetarë. Ne dimë të falim. Ne dimë të komunikojmë me njerëzit. Ne nuk bëjmë luftë klasash”.

Ndërkaq, dje ka pasur edhe reagime të tjera si nga shkrimtari Gazmend Kapllani dhe dirigjenti Bujar Llapaj.

Gazmend Kapllani(shkrimtar)
“1. Personalisht nuk më bindin argumentet e qeverisë apo të Bashkisë së Tiranës për prishjen e godinës së teatrit. Nuk më bindin as nga ana kulturore, as nga ana praktike (e ndërtimit), as nga ana e urbanistikës.
2. Unë besoj se duhet një Teatër i ri Kombëtar për një epokë të re, por kjo mund të bëhet pa prishur godinën e tanishme.

3. Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës (që duket si sufler i kryeministrit) kanë filluar të flasin me një gjuhë shumë të rrezikshme për demokracinë, duke përdorur argumentin që përdorin të gjitha regjimet autoritare se “këtu nuk vendos pakica”. Që të dy duhet të kuptojnë që demokracia nuk është thjesht regjimi i shumicës dërrmuese dhe shkatërruese, por ajo që e bën demokracinë, demokraci, është që dëgjon edhe zërin e pakicës. Prandaj në një demokraci ka nene dhe ligje që mbrojnë pakicat, kushdo qofshin ato, që shumica të mos kthejë në top lecke dhe të bëjë çfarë të dojë me pakicën.

4. Këtu megjithatë nuk bëhet thjesht fjalë për pakicë dhe shumicë, por për një çështje delikate, që ka të bëjë me identitetin kulturor të Shqipërisë dhe qytetit të Tiranës dhe shoqëria civile, sado e pakët dhe e deformuar në Shqipëri, është në të drejtën e saj të ngrejë zërin.

5. Unë nuk kam asnjë dyshim që kryeministri ka qëllime shumë të mira dhe ide të bukura, por ai nuk është Musolini që ta bëjë Shqipërinë një projeksion urbanistik të imagjinatës apo ideve të tij. I pëlqen apo nuk i pëlqen jetojmë në demokraci dhe rregulli i demokracisë është ‘kadalë beg se ka hendek!’. Nëse ai i ka dhënë të drejtën vetes ta bëjë Shqipërinë projeksion të imagjinatës apo ideve të tij, kemi detyrë morale dhe politike ta ndalojmë”.

Bujar Llapaj (dirigjent)
“Rezistenca e pashembullt e ‘Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ka nxjerrë zbuluar gjendjen e mjerueshme morale ku ndodhet shoqëria shqiptare, por sidomos ‘elita’ e shkolluar, që do të ishte mashtrim po ta quaje ‘intelektuale’. Intelektualët e vërtetë janë ata që punojnë dhe luftojnë për mbrojtjen e interesit publik kundër çdo lloj abuzimi nga çdo pushtet apo pushtetar. Janë ata që publikisht shprehen në mbrojtje të individit dhe shoqërisë nga dhuna, linçimi, racizmi që ushtron pushteti dhe jo e kundërta. E gjithë politika shqiptare që prej 1912 trashëgoi modelin otoman të pushtetit: përça dhe sundo, model që modernisti osmanlli e ka çuar në ekstrem urrejtjen dhe talljen me gjithçka dhe gjithkënd që ka një kontribut dhe vlerë, por që nuk bën temena për Padishahun.

Ndjehem vërtetë keq kur personalitete me kontribute të spikatura lejojnë të përdoret emri i tyre kundër kolegëve që protestojnë prej 18 muajsh. Pavarësisht janë dakord apo jo me protestën e tyre, ata janë pjesë e të njëjtit komunitet.

Ndarja e komunitetin teatror në çështjen e godinës së teatrit është manovra më e ndyrë e Rammiut. Kush nuk e do një teatër të ri, një bibliotekë të re, një sallë filarmonie etj., por me moton e internacionales: mbi gërmadhat e botës vjetër do ngremë botën e re, varroset historia jonë qoftë e lavdishme apo tragjike, zhduken bashkë gjurmët e heronjve të lirisë, por edhe të krimeve. Kush ka frikë nga historia, nga e vërteta dhe do që ta varrosi atë poshtë betonit?/GazetaShqiptare