Italia shpall dekretin e ri për punësimin e shqiptarëve në Itali

2753
0

Autoritetet italiane kanë dalë me një ofertë të re për shtetasit shqiptarë të cilët dëshirojnë të punojnë në Itali.

Një dekret i lëshuar nga qeveria italiane, i hap dritën jeshile 31 mijë emigrantëve, duke cilësuar se pranohen nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe vise të tjera përtej kufirit tonë ku jetojnë shqiptarë.

Në dekretin që noa.al ju detajon më poshtë, thuhet se gjithsej ofrohen 30 mijë e 850 vende të reja pune enkas për emigrantët.

Prej këtyre, 12.850 emigrantëve do t’i jepet e drejta e lejes së qëndrimit për punësim autonom apo si vartës josezonalë. Ndërsa për 18 mijë të tjerë, ofrohet mundësia për punësim sezonal në sektorin e bujqësisë si dhe hoteleri-turizmit.

Ky dekret parashikon dhe kuotën prej 9850 emigrantë që mund të konvertojnë lejen e tyre të qëndrimit për studim, praktikë pune, etj., në leje qëndrimi punësimi kundrejt prezantimit të një kontrate të rregullt pune.

Gjithashtu qeveria italiane lejon me këtë dekret, dhënien e lejes së qëndrimit për 2400 persona profesionistë të lirë e sipërmarrës që kërkojnë të kontribuojnë në ekonominë italiane duke hapur një biznes me të paktën 3 vende pune e me një faturim të jo më pak se 500 mijë euro në vit.

Ky dekret lejon dhënien e lejes së qëndrimit dhe të gjithë atyre që kërkojnë të ndërtojnë sipërmarrje start up inovative si dhe për artistë me famë apo me kualifikim të lartë profesional që punësohen nga ente publike apo private.

Prej datës 16 prill në portalin e Ministrisë së Brendshme italiane mund të dërgohen formularët e plotësuar për emigrantët që kërkojnë punësim jo sezonal, vartës e autonom si dhe ata emigrantë që kërkojnë konvertimin e lejes së tyre të qëndrimit për motive pune.

Ndërsa nga ora 9 e mëngjesit të 24 prillit 2019 mund të prezantohen formularët e plotësuar për punësim sezonal.

Afati i prezantimit të kërkesave për punësim sezonal është 31 dhjetori 2019. Por meqë kuotat janë të limituara parashikohet një fluks i madh i tyre sidomos në ditën e parë e ashtuquajtura “clikc day” pra më 24 prill.