Nëse ka një qytet në Shqipëri ku niveli i krriminalitetit është zero, ai është pikërisht Përmeti.
Në raportet e Prokurorisë së Përgjithshme për nivelin e kriminalitetit ndër vite thuhet se Përmeti është ndër qytetet me përqindjen më të ulët të procedimeve penale.
Duke iu referuar statistikave për periudhën e muajve janar-mars të këtij viti nga zyra e shtypit në Policinë e Gjirokastrës bëhet me dije se është shënuar vetëm një rast shpërdorimi detyre nga ana e një punonjësi publik, referim ky në gjendje të lirë, 2 vjedhje banesash për njërën prej të cilave është zbardhur autori, 7 raste fyerjesh të cilësuara si kanosje me fjalë, 1 rast arrestimi për një drejtues mjeti në mënyrë të parregullt dhe 2 raste dhune në familje edhe këto nën cilësinë e referimeve ndërsa zbulueshmëria e autorëve të veprave penale është thuajse në masën 100%.
Raste të veprave të rënda penale të parashikuara nga kodi penal nuk ka pasur. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se dinamika e kriminalitetit është më e ulët në Përmet pasi ky vend me kohë është shquar për rendin, qetësinë dhe bindjen ndaj shtetit.