Prindër lexojeni me vëmendje: Si po ua marrim fëmijërinë fëmijëve..

1131
0

Shkruan Edmond Arizaj:

Ata duhet të grisnin pantallonat, të bëheshin me baltë, të shponin duart e të çanin këmbët, të luanin, të vraponin, të mësonin pse del Dielli, pse fryn era, të bënin grepa e rrathë, të hidheshin në litar, a të mësonin kukullat…E ç’bëjnë në vend të kësaj? Lyhen me pudër, vishen me rroba të kushtueshme, mësohen si të flasin në mënyra që s’janë të tyret, dalin para kamerave, dalin para celularëve, dhe prindërit që tashmë e kanë zhvendosur jetën e tyre në smartphonë, përpiqen t’i bëjnë VIP-a.

Dikur e kanë dhe ata minutën e tyre të suksesit televiziv, a në rrjet, pa dyshim, me rrezikun e madh që të mbeten të burgosur gjithë jetën brenda asaj minute lavdie. Nuk ka rëndësi në thonë ‘taramelja’, apo ‘a të qaj pesë minuta’.

E rëndësishme është se çfarë vjen pas kësaj. Si do sillen vetë këta fëmijë “te famshëm” me shokët a shoqet e tyre aspak të njohur. Ka ndonjë studim për këtë?

A i dëmton fëmijët kjo lloj jete dhe vëmendjeje?

Vaniteti pastaj, gati i detyron gjithë prindërit të përpiqen që edhe fëmijët e tyre të kenë minutën e lavdisë. E kështu, duke i lyer, duke i veshur si të rritur, duke u dhënë modele për të ndjekur, duke mos i lënë të luajnë e të rriten, duke i dorëzuar në duart e TV-ve, dhe smartphonëve, u vjedhim me, ose pa dashje fëmijërinë.

U vjedhim atë që quhet pafajësi. Duke i futur që herët në kthetrat e xhelozisë, arrivizmit, konkurrencës, egos. Pa e kuptuar se kështu u marrim fëmijëve edhe atë pak që u ka mbetur: Mundësinë për të qenë vetvetja, për t’u njohur më mirë me kufijtë e mendjes e trupit të tyre.

Të tjerët u morën parqet, librat, kopshtet. Teknologjia u mori shokët, shoqet, lirinë.

Ne po u marrim të fundmit gjë që u ka mbetur, fëmijërinë.

Po i kalojmë direkt nga pelenat në adoleshencë. Dhe po qeshim me këtë. Qeshim, si çdo herë kur u shkatërrojmë diçka fëmijëve.