Familjet shqiptare emigrojnë në Perëndim (Video)

778
1

Elisabeta Hoxhaj po bën gati valixhen për t’u larguar nga Shqipëria së bashku me familjen e saj.

Gruaja e re, e cila banon në Vlorë, po emigron jashtë Shqipërisë së bashku me dy vajzat e saj, sepse, siç thotë vetë, në Vlorë e ka të pamundur të ndërtojë jetën.

“Ekonomia, arsimimi i fëmijëve, të gjitha…”, thotë Elisabeta.

Bashkë me të do të ikë edhe Enerida. Ajo shpreson që në Perëndim të ketë mundësi më të mira për shkollim: “Nuk ka ekonomi dhe për këtë arsye po ndjek prindërit”.

Bashkëshorti i Elisabetës është emigrant dhe shtëpia e kësaj familjeje në Vlorë është nën kujdesin e babait të tij: “Kam 5 fëmijë dhe asnjëri prej tyre nuk është këtu. Papunësia, fukarallëku, infrastruktura i detyron njerëzit që të largohen”.

Familja ndahet këtu për të nisur një jetë tjetër larg Shqipërisë, ku mund të gjejnë punë më të mirë, shkolla më të mira dhe kushte jetese më të mira.

Në pak vite, fshatra të tëra dhe lagjet e qytetit të Vlorës janë zbrazur nga emigracioni. Ikja është e heshtur dhe e pandalur.