Elbasan, vëllai nxjerr motrën nga shtëpia: Shko në hotel (Video)

1841
0

Eleni Lushnjari nga Elbasani ka raportuar në emisionin “Stop”, se para dy muajsh është grindur me të vëllain dhe ky i fundit e ka nxjerrë nga shtëpia, duke e detyruar të flejë jashtë. Eleni thotë, se në këtë shtëpi ka jetuar prej 22 vjetësh, por me ndarjen nga jeta te së ëmës, vëllai ka pretendime për banesën. Gazetarja e emisionit shkon në policinë e Elbasanit dhe zyrtarët e policisë vendosin t’i marrin kallëzimin zonjës Lushnjari.

Eleni Lushnjari: Ju drejtova emisionit “Stop” se më ka nxjerrë vëllai përjashta nga shtëpia. Dy muaj përpara  kishim një konflikt shtëpie dhe më ka sharë dhe më ka nxjerrë jashtë. Shtëpia është në emrin e mamit tim dhe ai më ka nxjerrë jashtë. Nuk di nga t’ja mbaj, prandaj ju drejtova dhe juve. Nëna ime ka dy vite që ka vdekur. Siç ka të drejtë ai të jetojë kam dhe unë. Kam që në datë 19 që rri jashtë, se nuk e mbaj mend hiç mirë se kam qenë e stresuar. As jam larë, as jam bërë, që atë ditë. Kam 22 vite që rri tek ajo shtëpi qëkur më ka vdekur burri. Kërkoj të hy në shtëpi, siç ka të drejtë ai kam dhe unë.

Gazetarja: Sa herë i je drejtuar Komisaritat të Policisë së Elbasanit?

Eleni Lushnjari: Përditë, përditë dhe nuk e kanë çarë kokën farë. Jo, shko në hotel, jo shko andej, s’ke ndonjë të afërt më thonë, por pse duhet të shkoj në hotel unë kur kam shtëpinë time.

Më pas gazetarja e emisionit “Stop” shkoi vetë tek Komisariati i Policisë së Elbasanit dhe u interesuar vetë lidhur më rastrin e zonjës së vetmuar, e cila rri mes katër rrugëve të qytetit.

Shefi i policisë: Policia nuk merr vendime!

Gazetarja: Atëherë, ku të….

Shefi i policisë: Zbaton, ekzekuton vendime.

Gazetarja: Po pra, po, po! Atëherë, ku të gjejë mbështetje kjo zonjë e vetmuar sot, mes 4 rrugëve të Elbasanit?

Shefi i Komisariatit: Ne sot do t’i marrim një kallëzim dhe do ta referojmë në prokurorinë e Elbasanit.

Gazetarja: Për aq kohë, sa është shtëpia e prindërve. kanë të drejtë, si motra, si vëllai të qëndrojnë në një vend. E kupton? Derisa ta ndajë gjykata. Tani, si mendoni juve, të rrijë kjo femër në mes të rrugës?

Shefi i policisë: Jo! Në asnjë mënyrë! Kush të tha, që kemi menduar ne kështu?

Gazetarja: Po pra, po! Por hajde të gjejmë një mënyrë, për të vepruar!

Shefi i Komisariatit: E di ca? Forma, që ne na njeh ligji, që të veprojmë. Zonjës do t’i merret kallëzim, do të trajtohet si në një situatë rrisku. Kupton, ca po të them?

Gazetarja: Po!

Shefi i Komisariatit: Pasi realisht mund të quhet në një situatë rrisku. Do ta akomodojmë në .. do flasim me qendrën, për ta akomoduar në qendrën, në qendrat sociale. Ai zotëria do shoqërohet, do vijë këtu. Do t’i merret kallëzimi i kësaj zonjës, ai do thirret do pyetet, të shoqërohet në komisariat edhe këto do bëjmë.

Gazetarja: Ok!

Të nesërmen Shefi i Komisariatit tregon, se i thirri motër e vëlla dhe Eleni Lushnjari arriti të hyjë ne shtëpinë e saj.

Shefi i Komisariatit: Dje u morëm me të si rast, e ke parasysh? Sollëm dhe të vëllanë këtu. U intervistua dhe ai. Megjithatë foli me të vëllanë, pasi bëmë ballafaqim.

Gazetarja: D.m.th, në një farë mënyre, u bë ndërmjetësimi midis vëllait dhe motrës.

Shefi i komisariatit: Po! Po!

Gazetarja : Edhe sot ..

Shefi i komisariatit: E pranoi dhe ai dhe mbrëmë vajti në shpi ajo.

Më pas gazetarja shkoi tek banesa e zonjës Eleni Lushnjari, e cila është shumë mirënjohëse që emisioni “Stop” mundësoi që ajo të hynte në shtëpinë e saj.

“Unë më në fund hyra në shtëpi, falë jush dhe falënderoj “Stop” si dhe ju veçanërisht, më ke bërë një punë shumë të mirë. Nuk di si të ta shpërblej. Jam e qeshur dhe jam larë, dhe mbi të gjitha jam në shtëpinë time”./tvklan.al