Lajmi mire! Zgjatet vlefshmëria e kartave të identitetit, ja deri kur keni afat

791
0

Qytetarët e Tiranës nuk do të duhet të presin më në radhë për t’u pajisur me kartën e identitetit. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë Aleat, kanë nisur punën për hapjen e zyrave të reja në të gjithë qytetin, ku qytetarët mund të aplikojnë për rinovimin kartave të identitetit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishin sot në zyrat e reja në Rrugën “Bardhyl”, të cilat u vijnë në ndihmë 120 mijë banorëve të Njësive 3 dhe 4. Ata dhanë lajmin e zgjatjes së vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike që skadonin këtë vit, deri më 31 dhjetor 2019 dhe të ofrimit të shërbimeve për aplikimet e reja edhe ditën e shtunë e të diel.

“Kemi filluar një proces që do të zgjasë gjatë gjithë kësaj jave, për hapjen e zyrave shtesë, në bashkëpunim me kompaninë që prodhon kartat e identitetit në gjithë Tiranën. Kjo e trefishon, në disa raste e katërfishon, kapacitetin tonë për të emetuar kartat dhe unë besoj se standardi që vendos Tirana, do të jetë një standard që do të ndiqet edhe nga bashkitë e tjera. Bashkë me kompaninë dhe me autoritetet vendore do të vazhdojmë punën dhe të shtunën, të dielën, dhe me orare të zgjatura”, tha Veliaj.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj siguroi qytetarët se me kapacitetet e shtuara nuk do të kenë asnjë pengesë në marrjen në kohë të shërbimit të kërkuar. “Është rezultat i një pune intensive që është bërë ditët e fundit, për të rritur kapacitetet e prodhimit për kartat e identitetit edhe në prag të zgjedhjeve, por edhe për të përballuar fluksin e madh i cili lidhet me skadimin e një numri shumë të madh kartash, të cilat janë prodhuar pothuajse në të njëjtën kohë në vitin 2009. Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme kanë ndërmarrë masa për të zgjeruar kapacitetet dhe për të përmirësuar kushtet e aplikimit”, nënvizoi Lleshaj.

Zyrat e reja për rinovimin e kartës së identitetit për banorët e Njësisë 3 dhe 4 do të funksionojnë me 8 sportele, ku falë shërbimit të shpejtë dhe korrekt, qytetarët do të marrin shërbimin shpejt duke mos humbur kohë.