Moderatori Blendi Fevziu ka dhënë për festa një intervistë të veçantë ku flet për jetën familjare e marrëdhënien me dy vajzat, Mishel dhe Alis. Blendi ka treguar për “Revistawho” se ndonëse është shumë i zënë, arrin ta organizojë kohën për vajzat.
Një baba i lumtur i dy vajzave. Më duket mua apo me vajzën e dytë po rikuperon kohën që ‘i ke vjedhur’ të madhes?
B.F: Po, shumë më tepër se sa me vajzën e madhe. Është çështje moshe dhe pjekurie padyshim. Tani jam shumë më i zënë, por organizohem më mirë që të kaloj kohë me të.
Kur ke vajza ke botën, thotë një këngë popullore. Ama mentaliteti (jo vetëm) shqiptar, do djem. A ke qenë ndonjëherë burri që dëshironte të kishte një djalë?
B.F: Jo asnjëherë. S’ka qenë kurrë shqetësim i imi.
Blend, sa e rëndësishme është një familje e lumtur për një burrë të suksesshëm? Ç’mendim ke për atë shprehjen “pas një burri të suksesshëm qëndron gjithmonë një grua e fortë”?
B.F: Të jesh i qetë në familje eshtë një kusht shumë i rëndësishëm nëse do të kesh sukses në karrierë ose në punë. Pastaj bota është e mbushur me shprehje që jo rrallë kundërshtojnë edhe njëra-tjetrën.
Sa janë këshilltare të tuat, bashkëshortja dhe vajza e madhe? Sa e ndan ngarkesën e punës me to?
B.F: Zakonisht nuk flas për punën në shtëpi. Shumë rrallë dhe nuk i përfshi pjesëtarët e tjerë të familjes në këtë histori.
Një vilë në periferi, një lagje ku i njeh thuajse të gjithë fqinjët… Ndodh edhe tek ju si në Hollywood, shkoni për festa në shtëpitë e njëri-tjetrit?
B.F: E para nuk di që të ketë kaq festa, ose unë s’jam tipi i festave mbase. Shkoj për kafe ose darka në shtëpitë e të njohurve, pranë apo larg qofshin.
Fton shumë miq në shtëpi?
B.F: Padyshim. Gjithnjë. Pothuaj çdo darkë të premteje dhe të shtune. Dhe jo vetëm miq, por edhe njerëz me të cilët më lidh puna, që mbase edhe nuk i fus në llogarinë e miqve. Padyshim që me miqtë je më shpenguar.
Foto: Revistawho