Ditën e djeshme, nisur nga njëra prej 8 kërkesave të protestës studentore, në Inbox-in Revista Anabel në Facebook, mbërritën disa mesazhe me foto dhe informacione përkatëse mbi kushtet nëpër konviktet në kryeqytet. Në vijim po paraqesim disa prej tyre.
“Unë kam 5 vite që jetoj në Qytetin Studenti dhe paguaj 450 mijë lekë për 10 muaj kontratë. Kam jetuar në të njëjtën godinë dhe në të njëjtën dhomë. Në 5 vite nuk ka ndodhur asnjë ndryshim dhe asnjë përmirësim të kushteve.
Në dhomë jam munduar që të mos kem mungesa jetësore dhe kam blerë vetë frigorifer, rezistencë gatimi e ngrohjeje e çdo gjë tjetër të nevojshme.
Dushet hapen në orën 8 të mëngjesit deri në 8 të darkës, por janë me orare të përcaktuara gjatë ditës. Kushtet e banjove nuk janë të mira, por të paktën na i pastrojnë dy herë në ditë. Jetesën më të vështirë ndonjëherë ta bëjnë arroganca e kujdestares dhe punonjësve të tjerë, por gjithsesi pamundësia ekonomike na detyron të jetojmë këtu.”
“Konviket e Mjekësisë [fotoja poshtë]: Nuk ka ngrohje dhe jemi 4 veta në dhomë. Në kat janë 14 dhoma, dhe vetëm 3 tualete.
Dushet janë në kat të parë; ka 6 dushe për gjithë konviktin dhe janë me orar nga ora 6 pasdite deri në 9 të darkës. Për sqarim: 28 dhoma në kat, 14 në njërën anë, e 14 në tjetrën.”
Foto të tjera të siguruara nga një investigim i Top Channel.
Ndër të tjera, dikujt kushtet e konvikteve i kujtuan një burg në Skoci…
“Duke marrë shkas nga ato dhomat e konvikteve, m’u kujtuan dhomat e burgut në Skoci, ku kam qëndruar një periudhë kohë disa vite më parë. Shikoje pak çfarë kushtet ka. Këto 2 fotot e fundit janë vendi i takimit me vizitorët dhe aty bënim mësim.”
Bëhet fjalë për burgun “HMP Addiewell”, i vendosur midis qyteteve të mëdha si Edinburg dhe Glasgou.
Të krijon përshtypjen sikur je në traget, por në fakt ky ambjent është thjesht një dhomë e zakonshme burgu.
Ai shërben më së shumti si një qendër rehabilitimi ku shkelësit mund të trajtojnë sjelljet kriminale dhe t’i përmirësojnë ato.
Në këtë pikë është e kotë të flasim se si duhet të duket një dhomë normale konvikti…
…por për kuptuar diferencën po ju sjellim në vijim disa pamje nga burgjet më njohur në botë, përfshirë këtu edhe institucionet e sigurisë së lartë.
“Champ-Dollon” në Gjenevë, Zvicër – shërben për të mbajtur të akuzuarit para dhënies së vendimit për t’u dënuar.
“Bostøy”, Norvegji – burgu më i madh i sigurisë së ulët në Norvegji, që përpos të tjerave ka edhe dyqane, biblioteka, zyra informacioni, kafe, shkolla dhe organizon seminare të ndryshme.
“Halden” në Halden, Norvegji – i përket një ndër atyre institucioneve të sigurisë së lartë. Aty futen të burgosur nga e gjithë bota, të cilët shijojnë aktivitete sportive dhe muzikore.
Burgu i grave “San Diego” në Kolumbi – vendosen gra të cilat kanë kryer krime si vjedhje apo trafik droge. Ato bëhen pjesë e programeve të caktuara për t’u punësuar më vonë si kamariere, kuzhuniere, pjatalarëse etj.
“Milton Hilton” në Zelandën e Re – gjenden pafund biblioteka dhe shërbime të tjera për t’i bërë ata të ndihen pjesë e shoqërisë.
“Aranjuez” në Aranjuez në Spanjë – lejon prindërit dhe fëmijët të qëndrojnë bashkë si një familje. Të dekoruar me personazhe të Disney-t, me çerdhe dhe kopshte pafund, qëllimi është krijimi i një mjedisi ku fëmijët të mos kuptojnë që prindërit ndodhen prapa hekurave.