Për çdo të lindur pas 1 janarit 2019, qeveria do japë 400 mijë lekë të vjetra. Ky lajm u bë i ditur pak muaj më parë nga vet kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se përfitime do të kenë edhe ato nëna që sjellin në jetë binjakë apo trinjakë.
Ditën e sotme Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin, ku sqarohet edhe procedura se si do të përfitohet bonusi për bebet.
VENDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të
shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 38, të ligjit nr.18/2017, “Për të
drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, me propozimin e ministrit të
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1.
Përcaktimin e masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) për
nënat me foshnja të porsalindura dhe procedurën e dhënies së tij, si më
poshtë vijon:
a) Në masën 40 000 (dyzet mijë) lekë për lindjen e fëmijës së parë;
b) Në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për lindjen e fëmijës së dytë;
c) Në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim;
ç) Për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilin fëmijë;
d)
Për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë
në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për secilin fëmijë.
2.
Ndihmën e menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të këtij
vendimi, e përfitojnë edhe nënat shtetase shqiptare për fëmijë të lindur
jashtë vendit dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara
në ligjin për gjendjen civile.
3. Nëpunësi i gjendjes civile, i atashuar pranë institucioneve të
shërbimit spitalor ku kryhet lindja, kryen veprimet e verifikimit
on-line të statusit të nënës dhe regjistron fëmijën e lindur në
Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010.
Pas
regjistrimit kryen verifikimet e nevojshme për përcaktimin e masës së
ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të këtij
vendimi. Procedura e verifikimit on-line për identifikimin e nënës së
fëmijës së lindur dhe statusit të saj, si dhe mënyra e përfitimit të
ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) përcaktohen me udhëzim të
përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe
ministrit të Brendshëm.
4. Ndihma e menjëhershme financiare (bonusi)
sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, i jepet nënës,
menjëherë, pas lëshimit të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”,
në përfundim të procedurave të regjistrimit të fëmijës në Regjistrin
Kombëtar të Gjendjes Civile.
5. Masa e ndihmës së menjëhershme
financiare jepet në formën e një çeku, të emetuar në emër të nënës, dhe
ose sipas rasteve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, dhe të
pagueshëm:
a) 35 (tridhjetë e pesë mijë) lekë menjëherë pas lëshimit
nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “certifikatë
asistence në lindje”;
b) 75 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë menjëherë
pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit
“certifikatë asistence në lindje”;
c) 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë
mijë) lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor
të dokumentit “certifikatë asistence në lindje”;
ç) diferenca e
mbetur prej 5 (pesë mijë) lekësh, sipas pikës 1, të këtij vendimi,
përfitohet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit të fëmijës në
Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
6. Vlera e përcaktuar në çek
tërhiqet në bankat e nivelit të dytë me të cilat Ministria e
Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi.
7.
Në rast se strukturat përgjegjëse konstatojnë përfitimin pa të drejtë
të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi), Ministria e Shëndetësisë
dhe Mbrojtjes Sociale merr masa, sipas legjislacionit në fuqi, për
kthimin e shumës së përfituar pa të drejtë.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në 1 janar 2019.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA