Rrugë e re drejt Britanisë, policia gjermane në hall me shqiptarët

535
0

Gjashtë herë në javë, një treaget mallrash udhëton nga Cuxhaveni për në Immingham të Anglisë. Ajo që ndokush vështirë se e di: Pothuajse çdo herë ndonjë pasagjer ilegal përpiqet të futet në bord pa ndonjë dokument hyrjeje. Kryesisht bëhet fjalë për shqiptarët që në Gjermani kanë ardhur si turistë. Qëllimi i tyre është një jetë në Britani të Madhe, ku tashmë një pjesë e familjes së tyre janë stabilizuar.

“Gjithçka filloi në vitin 2015”, thotë Jörg Ristow i Policisë Federale në Hanover. Që atëherë, Cuxhaven është bërë gjithnjë e më shumë një qendër për udhëtarët ilegalë. Gjithashtu janë prekur edhe portet e tjera të Gjermanisë Veriore, megjithëse në një masë shumë më të vogël.

Në vitin 2015, Policia Federale regjistroi 30 ndërhyrës në zonën e vlerësuar si të sigurt të portit në Cuxhaven. Një vit më vonë ishin 152, në vitin 2017 kanë qenë 295. Këtë vit, Policia Federale numëroi 222 persona deri në fund të muajit gusht. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka pasur 185 persona që kanë dashur të largohen. “Ata po kërkojnë çdo mundësi për të hyrë në bord, të pahetuar”, thotë Ristow. Njëra nga to është edhe fshehja në ndonjë kamion që futet në trajekt.

Po që se hetohen, këta persona përsëri pas disa ditëve përpiqen ta provojnë fatin e tyre. Pasi, ata nuk mund të akuzohen me pasoja juridike penale, vetëm pse duan të largohen nga vendi, thekson Ristow. “Ju mund t’u jepni vërejtje, por kjo nuk e tremb askënd”, thotë një përfaqësues i Policisë për Mbrojtje të Ujërave të Hamburgut. Me kërkesën e operatorëve të objektit të portit, është e mundur ndjekja penale për shkelje të rendit ose dëmtim të pronës.

Në Hamburg, që nga viti 2015, autoritetet e sigurisë kishin regjistruar gjithashtu një numër në rritje të këtyre udhëtarëve. Gjithsej janë kapur 66 persona, kryesisht shqiptarë. Ata synonin anijet për në Kanada. Pjesërisht, ata do të kenë ndërmarrë një rrezik të konsiderueshëm për vetveten e tyre. “Bile, në disa raste edhe duke kaluar sipërfaqen e ujit me dyshek me ajër”, thotë zëdhënësi i policisë Ulf Wundrack. Por, që nga maji i vitit 2017, asnjë rast i ri nuk është regjistruar. “Ky fenomen tek ne ka marrë fund përsëri dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë”, thotë përfaqësuesi i Policisë për Mbrojtje të Ujërave të Hamburgut. Policia ka njohuri për tre raste në vitin 2015, që kanë arritur të depërtojnë në Kanada, njofton Albinfo.ch.

Në Bremerhaven, autoritetet gjithashtu janë të njohur me problemin, por këtu janë kapur vetëm një numër i vogël personash. Përsëri, destinacioni kryesor është Kanadaja. Porti i thellë në Wilhelmshaven është më pak i njohur me udhëtarët e paligjshëm. Meqë linjat e tij kryesisht janë për, dhe nga Azia, porti nuk është interesant, thotë një zëdhënës i zyrës kryesore të doganës Oldenburg.

Operatorët e portit në Cuxhaven tashmë kanë rritur masat e tyre të sigurisë: Janë rregulluar gardhe të përforcuara, forca gjithnjë e më të shtuara të sigurisë dhe janë instaluar video kamera. Përveç kësaj, një grup pune është krijuar së bashku me përfaqësuesit e Policisë Federale, Tokësore dhe të Mbrojtjes së Ujërave. Në këtë mënyrë pra, janë parandaluar shumë kalime të paligjshme kufitare.

Megjithatë, nëse udhëtarët e paligjshëm arrijnë të hipin në një anije, udhëtimi i tyre zakonisht përfundon më së voni në Portin e Imminghamit. Vitin e kaluar, nga policia kufitare u kapën shtatë persona. “Për shkak se nuk kishin status legal të qëndrimit për Gjermani, ata janë kthyer në Shqipëri”, thotë Ristow.