A do të mbyllet Lotaria Amerikane dhe pse “preferohen” korçarët? Përgjigjet zyrtari i ambasadës

608
0

A do ta mbyllë Trump, Lotarinë Amerikane? Përgjigjen e jep zv.konsulli i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Omar Medina.
“Lotaria Amerikane është vendosur nga Kongresi dhe mund të shfuqizohet vetëm nga një akt i Kongresit. Programi është aktiv tani, për çdo informacion mund ti referoheni zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, por për momentin programi është aktiv dhe ligji nuk ka ndryshuar” – tha Medina.

I ftuar në studion e emisionit “Rreze Dielli” në Report Tv Medina shpjegoi dhe “mitin” që korçarët janë më të favorizuarit nga lotaria amerikane.

“E kam dëgjuar këtë histori. Mënyra se si përzgjidhen fituesit është që qendra konsullore në Kentucky ka një sistem kompjuterik që përzgjedh në mënyrë rastësore fituesit. Pra gjithçka bazohet tek teknologjia dhe nuk ka asnjë preferencë ndaj një zone të caktuar. Kompjuterët kontrollojnë se kush përzgjidhet, asnjë prej nesh nuk bën asnjë ndërhyrje tek ky proces dhe nuk besoj që të jetë dikush nga Korça që manipulon kompjuterët. Është gjithçka automatike në Kentucky” – tha Medina.

Çdo vit rreth 50 mijë njerëz nga më shumë se 14 milionë aplikues nga e mbarë bota përzgjidhen si fitues të lotarisë “diversiteti” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët që aktualisht përbëjnë numrin më të madh të aplikuesve në Ballkanin Perëndimor shënuan vitin e kaluar rekordin historik me 376 mijë aplikues që tentuan fatin për të prekur ëndrrën amerikane.