Skip to content

Dërgon djalin për herë të parë në shkollë, gazetari shqiptar ka një apel të fortë për mësuesen

    Mes mijërave nxënësve që janë ulur sot për herë të parë në bankat e shkollës është edhe biri i gazetarit të Top Channel, Denis Dyrnaja, i cili si shumë prindër ka merakun e fëmijës përgjatë rrugës së arsimimit.

    Përmes një statusi të gjatë në Facebook, Dyrnjaja, bën një apel të veçantë për mësueset që do i japin mësim djalit të tij.

    Dyrnjaja shkruan:

    Një mesazh mesueses!
    I/e dashur mësues(e), fëmija im u ul sot për herë te parë ne bankën e shkollës. Bashkë me të në bankë ishte ulur edhe ndroja e pafajësia. Unë e shihja çdo moment në sytë e tij që përhumbeshin.
    Ai sot u ul përballë një puzzle të madh e të panjohur dhe tashmë nisi rrugëtimin për të njohur botën, historinë dhe gjeografinë e saj, do të njohë e mësojë nga erdhëm dhe ku shkojmë.

    Do të mësojë e njohë më shumë çfarë është njeriu, çfarë është vetë ai si qenie dhe çfarë është në gjendje të krijojë forca e tij. Do mësojë çfarë është e mira dhe e keqja, lufta dhe paqja. Të lutem mësues(e) e dashur mos e lëndo fëmijën tim edhe nëse ai nuk gjen dot fjalën e duhur apo mendimin e duhur.
    Mësoje atë me kurajë se dështimi nuk është fundi, por është fillimi për t’u ringritur. Mësoje se jeta është plot me beteja si kjo e dështimit dhe ringritjes, e se lëmosha nuk është shpëtim, por zhytje në mjerim. Mësoje fëmijën tim ç’është dashuria. Mësoje që të japë dashuri, që të marrë dashuri. Tregoji se sekreti i lumturisë është dija dhe dashuria.

    Ti do te jesh për të bariu i mirë si në përrallat e vogëlisë, që di gjithçka dhe mund ta mbrosh nga gjithçka. Unë e di se fëmija im do të të admirojë nëse ti edhe në pikën tënde fundore të lodhjes do gjesh buzëqeshjen për t’i thënë se nuk je lodhur dhe se e do shumë edhe pse ai nuk është dot i përkryer.
    E dashur mësues(e) kujdesu, mëkoje dhe mësoje fëmijën tim që të bëhet dikush i vërtet në jetë, se nuk dua te kem nesër në shtëpi një manekin, apo marionetë. Unë të kam besuar ty sot jo thjeshtë një fëmi, por të kam besuar dritën e syve të mi.