“E mora Ramën me thonj pa prerë nga Parisi dhe e bëra ministër”, batutat dhe faktet e rralla nga jeta e Fatos Nanos

974
0

Fatos Nano, ish-kryeministri i Shqipërisë dhe njëherësh ish-kreu i PS-së sot feston 66-vjetorin e lindjes. Nano ka qenë për 13 vite kryetar i PS-së, ka dhënë plot 5 herë dorëheqjen, tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i PS-së. Fatos Nano di pesë të gjuhë të huaja. Në vitin e dytë të gjimnazit, ai formoi një grup rroku (ishte solisti) që luante muzikën Bitëllsave. Gjatë burgimit atij i janë qethur flokët si ndëshkim për deklaratat që bënte në media.

Shpeshherë politika shqiptare është kthyer edhe në një teatër të madh, ku aktorët politikanë shajnë, fyejnë apo ironizojnë njëri-tjetrin si aktorë profesionistë. Por përveçse na kanë prodhuar një pafundësi sharjesh dhe fyerjesh, po ashtu na kanë sjellë një mori batutash, me të cilat Fatos Nano spikat.

7 batutat dhe 50 fakte nga jeta e Fatos Nanos:

Fatos Nano në gusht të vitit 2001 kur shkon në Lezhë për fushatë elektorale, del nga makina dhe i hap derën Lesit duke thënë: “E, ç’është një lider partie para një lideri të shtypit të lirë”.

Fatos Nano gjatë fushatës për katarsis në vitin 2001: E mora Ramën me thonj pa prerë nga Parisi dhe e bëra ministër.

Fatos Nano në Parlament në vitin 2001: Unë jam çliruar nga makthet e Berishës. Ndërsa kam thënë se lëvizjen “Nano” nuk e ndalon dot më as vetë Nano, regjimin e Berishës në Shqipëri nuk e kthen dot më as vetë Berisha.

Fatos Nano në Parlament në vitin 2004: Pasuria ime më e madhe, më e çmuar dhe e hipotekuar në sytë e të gjithëve, është Sali Berisha.

Fatos Nano, data 14 korrik 2006 gjatë bisedës me Berishën në një pritje në ambasadën franceze: “Karrigen tënde dhe timen nuk e ha as dreqi”.

Fatos Nano pas një mungese të gjatë në Parlament (2007), merr pjesë në një seancë për të mos djegur mandatin. Sapo hyn në Parlament, kryeministri Sali Berisha ishte i pari që e ngacmoi Nanon, duke e pyetur: Fatos, ku e ke pas celularin, pse s’më ke marrë njëherë? Dhe Nano ia kthen menjëherë: “Nuk kam pasur lekë në telefon, ndaj s’të kam marrë”.

Njihuni me jetën e Fatos Nanos nëpërmjet një profili me 50 fakte.

1- Fatos Nano ka lindur më 19 shtator 1952 në Tiranë. Pas 6 ditësh ai feston 64-vjetorin. Është djali i vetëm i katër fëmijëve të Thanas dhe Marie Nanos. Motrat e tij janë Sashenka, Vjollca, që janë dhe më të mëdha në moshë, ndërsa Mimoza është motra e vogël.

2- Fatos Nano ka lindur në një familje që ishte pjesë e elitës së regjimit komunist të vendit. Babai i tij, Thanas Nano, ishte drejtor i Radio Televizionit Shqiptar për shumë vjet.

3- Nano ka studiuar në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë, e rezervuar për fëmijët e nomenklaturës. Aty mësoi gjuhët e huaja si dhe të luante me kitarë. Në vitin e dytë të gjimnazit, ai formoi një grup rroku (ishte solisti) që luante muzikën Bitëllsave, rreptësisht e ndaluar për publikun gjatë asaj periudhe.

4- Pasi përfundoi gjimnazin në shkollën “Sami Frashëri”, Nano studio në Universitetin e Tiranës në degën Ekonomi Politike. Në nivel të arsimit është vlerësuar si nxënës i shkëlqyer dhe një nga studentët më të mirë të universitetit. Fatos Nano di pesë gjuhë të huaja, anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht dhe serbo-kroatisht. Cilësohej si një nga pedagogët më të kualifikuar.

5- Fatos Nano ka qenë katër herë kryeministër i vendit. Më konkretisht: në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.

6- Koha më e shkurtër e qëndrimit kryeministër ka qenë në vitin 1991, kur drejtoi kabinetin vetëm për tre muaj. Ndërsa koha më e gjatë e qëndrimit ka qenë mandati i tij i fundit. Si kryetar i Këshillit të Ministrave drejtoi qeverinë socialiste për 36 muaj. Nga gushti i vitit 2002 deri në shtator 2005, kur dha dorëheqjen.

7- Fatos Nano është zgjedhur deputet i Parlamentit pesë herë. Deputet i Tiranës në vitin 1991. Deputet i Kuçovës në vitin 1992. Deputet i Tepelenës në vitin 1991 dhe në vitin 2001 dhe deputet i Sarandës në vitin 2005 deri në vitin 2009.

8- Fatos Nano mban titullin “Doktor Profesor i Shkencave Ekonomike”. Titullin e parë e ka marrë në vitin 1980 dhe titullin profesor kur ishte kryeministër në vitin 2003 nga Fakulteti i Ekonomisë së Tiranës. Mban tituj nderi nga dy universitete italiane. Në vitin 2000 Universiteti i Ndërkombëtar i Milanos, e dekoroi me titullin “Doktor Honoris Causa” në fushën e Ekonomisë dhe po në këtë vit merr titullin e nderit “Doktor Honoris Causa” në fushën e Shkencave Ekonomike nga Universiteti i Barit. Ka marrë titullin “Honoris Causa”, edhe nga Universiteti Europian i Tiranës.

9- Pas mbarimit të universitetit, për katër vite, Fatos Nano zhvendoset në Elbasan, ku punon si ekonomist në Kombinatin Metalurgjik. Më pas transferohet në Tiranë, ku punon fillimisht si ekonomist në kooperativën e Priskës.

10- Ngjitja e karrierës profesionale të Nanos nisi pas rikthimit në Tiranë në vitin 1980. Ai emërohet të punojë në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste. Një post që i dha mundësinë të kishte kontakte më të shpeshta me botën perëndimore për shkak të udhëtimeve.

11- Gjatë viteve 1984-1990, Fatos Nano do të ishte një nga ekonomistët e parë që paraqiti projekte për reformat social-ekonomike dhe reformën e Ekonomistë në Europën Juglindore. Në të njëjtën kohë do të punonte edhe si pedagog i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Tiranës.

12- Në vitet 1989-1990 ishte një ndër intelektualët që kërkon ndryshime në ekonominë e vendit. Së bashku me kolegët pedagogë, Gramoz Pashko, Leontiev Çuçi dhe Anastas Angjeli përbënin bërthamën e një grupi profesorësh liberalë në Universitetin e Tiranës.

13- Gjatë kohës që ishte i burgosur në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës u shpall “Qytetar Nderi” nga dy qytete. Në mars të vitit 1996 u bë “Qytetar Nderi” i Kuçovës dhe në prill të po atij viti, qyteti ku ishte burgosur, Tepelena i dha titullin “Qytetar Nderi”.

14- U martua në moshën 24-vjeçare me Rexhina Fatollin, vajza simpatike, qe e njohu në vitet e para të gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet. Pas 27 vitesh martese, çifti u divorcua në vitin 2001.

15- Fatos Nano, në vitin 2001, atëherë 50 vjeç, u martua sërish, me një ceremoni në Kishën Ortodokse të Tiranës me Xhoanën. Ceremonia u drejtua nga kryepeshkopi Janullatos. 29-vjeçarja Nano jetonte në Athinë ku dhe ishte divorcuar në vitin 1998 nga martesa e parë.

16- Martesa e parë e Fatos Nanos u bë në një ambient familjar, në shtëpinë e të atit të tij në Tiranë. Ndërsa martesa e dytë u bë me një ceremoni gjigante në Kishën Ortodokse në Tiranë dhe më pas në qytetin e Durrësit.

17- Martesa e Fatos dhe Xhoana Nanos, dhe divorci i ish-kryeministrit ishin një ngjarje që lanë shenjë në sjelljen politike të vendit. Duke sfiduar mentalitetin e kohës, ish-kryeministri Nano deklaroi publikisht lidhjen e tij me gruan shumë vite më të re në moshë, divorcin dhe nisjen e një jete të re. Në një intervistë televizive, pak kohë para ceremonisë së martesës, Xhoana Nano, asokohe 10 vite më e re kishte deklaruar me Fatos Nanon do të bënte më shumë se një fëmijë dhe se mosha nuk përbënte asnjë problem mes tyre.

18- Fatos Nano ka dy fëmijë, Sokolin 36 vjeç dhe Edenë, 33 vjeç, nga martesa e parë me Rexhina Nanon. Ndërkohë që ka dhe një djalë të birësuar nga martesa e tij me Xhoana Nanon, Klajdin, 23 vjeç.

19- Sipas të dhënave mediatike, ndaj Fatos Nanos janë bërë pesë tentativa për vrasje. Një ndër atentatet ka ndodhur në Berat, një në Shkodër, një në vilën kryeministrore, një kërcënim në zyrë dhe ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998.

20- Fatos Nano ka bërë 1 353 ditë burg. Ai u dënua me 12 vjet burg me akuzën për shpërdorim detyre në favor të të tretëve dhe vuajti dënimin në burgun e Tiranës deri në vitin 1994 dhe në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë te Tepelenës deri në vitin 1997.

21- Fatos Nano u arrestua në 30 korrik 1993 në Tiranë dhe u lirua më 13 mars 1997, pas revoltave të armatosura në jug të vendit. Lirimi i tij ishte një kërkesë e opozitës së majtë, por edhe e ndërkombëtarëve si një lëvizje për të qetësuar trazirat në vend.

22- Kristina Çupi, ish-sekretarja personale e Nanos, në një nga kapitujt e librit të Ylli Polovinës, ”Të jesh apo të mos jesh” se çfarë Nano para se ta arrestonin.

“Ditën kur do të ikte, më 30 korrik, më është thyer filxhani. Ishte mëngjes. Njoftimi me shkrim, një pusullë thirrëse, erdhi nga Prokuroria e Tiranës. Ishte ora tetë. Mirëpo Fatosi duhej të shkonte patjetër në mbledhjen e socialistëve të kryeqytetit, që mbahej në Teatrin e Operës dhe i thashë se kishte për të shkuar edhe … Më dridhet zëri kur e them. Ai tha: “Do vete njëherë në mbledhjen e Tiranës”. Shkoi. Kur erdhi këtu, ishte me një grup njerëzish. Një mik i tij, një afarist, i tha se duhet të blinin “Fanta”. I blemë ato dhe Fatosi tha: “Tani duam edhe një kafe”. Ia bëra kafet te një nga zyrat. Kur ia solla të tijën, më pa në sy (se si po më shihte) dhe tha: “Mund të mos kthehem”. E dëgjuan edhe të tjerët. Mbetëm. Sepse shtoi: “Ata do të bëjnë shpejt atë që kanë ndër mend ta bëjnë”. Aty m’u thye filxhani. Mos u mërzit i thashë, mos u mërzit se kam shenjë të mirë. Pastaj iku. E pritëm, e pritëm. Dikush vajti. Vajtën të tjerë. Prisnim para Prokurorisë. Disa druheshin të pyetnin (siç e kemi ne që ndonjëherë kemi frikë). E kishin arrestuar”, ka treguar Kristina.

23- Gjatë kohës që ishte i burgosur mori vetëm 24 orë leje. Në dhjetor të vitit 1995 i vdes e ëma dhe shteti i dha vetëm një ditë leje për ta varrosur. Ndërkohë që trajtimi i tij në burg, sipas dëshmive, nuk ndryshonte nga ai të dënuarve të zakonshëm.

24- Sipas dëshmisë së ish-bashkëshortes së tij, Rexhina, gjatë qëndrimit në burg, Fatos Nanos i janë qethur flokët si ndëshkim për deklaratat që bënte në media. Ndërkohë që në të gjitha seancat gjyqësore ai sillej nga policia në pranga. Dosja e Fatos Nanos për shpërdorimin e ndihmave italiane ishte 3200 faqe. Në të përfshiheshin dhe vendime të dhëna nga qeveria e Adil Çarçanit. Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, nuk pranoi të ishte ai njeriu që do të gjykonte Nanon.

25- Avokat Idajet Beqiri ka rrëfyer në media para disa kohësh detaje nga jeta në burgun 313 në Tiranë dhe në atë të Bënçës në Tepelenë, ku ndodhej i izoluar së bashku me kryesocialisti Fatos Nano. Ja çfarë kujton Idajet Beqiri nga ajo kohë: “Në kushtet e vështira të burgut 313 erdhi dhe vuajti së bashku me ne në 30 korrik 1993 edhe Fatos Nano. Fillimisht kam menduar se “si bythëpambuk Tirane” nuk do i duronte dot këto kushte skandaloze në burg dhe do thyhej. Por isha i gabuar. Fatos Nano sillej dhe qëndronte në burg si burgaxhi i regjur. Më zgjuarsinë e tij, me batutat e tij të hidhura, jo vetëm që i vinte të gjithë në lojë, por gjithashtu i shkujdeste aq keq gardianët dhe oficerët e burgut, sa e thyente sa herë të donte izolimin e egër që i bënin”.

26- Historiani amerikan, Fred Abrahams, në librin e tij ‘Shqipëria e re’, tregonte se si ndryshoi Fatos Nano pas daljes nga burgu.

“Nanoja dukej ndryshe nga ç’kishte qenë përpara burgosjes së tij- më i shëndoshë dhe me mjekër. Këshilltarët e tij të afërt treguan se Nanoja kishte vuajtur në burg dhe doli prej andej një njeri i ndryshuar, me më pak kontroll të vetvetes. Megjithatë ai mbeti i mençur dhe dinak. Prapa hekurave, ai kishte qëndruar aktiv në parti, duke pasur furnizim të pandërprerë me lajme, cigare dhe pije”, shkruante Abrahams në librin e tij.

27- Në vitin 2000 Gjykata e Tiranës i dha pafajësinë për akuzat e ngritura nga Prokuroria. Pas marrjes së pafajësisë, Nano fitoi edhe mbrojtje morale për akuzat për korrupsion. Më vonë edhe Sali Berisha ka deklaruar se burgosja e Nanos ishte veprim i nxituar. Në vitin 2002, Fatos Nano dëmshpërblehet nga shteti për burgim të padrejtë në shumën prej 72 milion lekësh. Nano, paratë e burgut ia dha ish-bashkëshortes së tij, Rexhina Nanos, si edhe apartamentin e tij në Tiranë.

28- Në një nga kabllogramet konfidenciale të Ambasadës Amerikane në Tiranë të zbardhur nga Wikileaks bëhej edhe një biografi e detajuar e Fatos Nanos në vitin 1997. Nano ishte liruar nga burgu pak muaj më parë dhe sapo ishte zgjedhur kryeministër.

Ambasada tregon detaje të jetës së tij: “Nano është intensiv, i fokusuar dhe individual. Është 168 cm, një gjatësi mesatare për meshkujt shqiptarë. Doli nga burgu mbi peshë dhe i parruar. Shumë të njohur të vjetër u shprehen se nuk e kishin njohur atë pas daljes nga burgu. Një duhanpirës i regjur, një kafshë sociale që shijon bredhjet në orët e vona të natës me rrethin e ngushtë të shokëve politikanë. Nano është serioz edhe kur bën shaka….

…Gruaja, e vizitonte Nanon një herë në javë në burgun e Tepelenës. Ata janë dukshëm të përkushtuar ndaj njeri-tjetrit. Edhe pse ajo nuk është shumë e aftë në gjuhët e huaja dhe nuk flet shumë në publik, në prani të të huajve, duket qartë se Nano ka konsideratë të lartë për të”, është përshkrimi i Ambasadores Mariza Lino për ish-kreun e opozitës.

29- Është akuzuar si pasardhës i komunistëve dhe bllokmenëve. Ndërkohë që ka meritën se transformoi Partinë Socialiste nga një parti që idealizonte Enver Hoxhën dhe Marksin, në një parti moderne të majtë dhe arriti ta integrojë në partitë e majta evropiane. Meritë kjo që është njohur së fundmi nga ish-rivali i tij më i madh Sali Berisha. Në 25 vjetorin e PS-së, Berisha duke iu drejtuar me anë të një mesazhi socialistëve, vlerësonte Fatos Nanon si reformator. “Fatos Nanos, në një garë, nga anëtar i thjeshtë arriti të zgjidhet kryetar i PS dhe ta shkëpusë PSSH nga modeli stalinist pothuaj 60-vjeçar i partisë së një njeriu! Fatos Nano e aderoi PS-në në organizmat e socialistëve europian dhe ka meritën e pranimit të rotacionit jo vetëm në parti por dhe në nivel vendi!, shkruante Berisha ndër të tjera në mesazhin e tij, ku sulmonte kryetarin aktual të PS-së, Edi Ramën, se e ka mbushur PS-në e sotme me kriminelë.

30- Batuta më e fortë e Fatos Nanos është për kryetarin aktual të Partisë Socialiste, Edi Ramën. “E mora nga Parisi me thonj të paprerë dhe shitësh ikonash të vjedhura”, deklaronte Nano në një nga takimet elektorale. Ndërsa një tjetër batutë e famshme ka qenë për LSI-në. “Lëvizja e Skraparllinjve të Inatosur” e pati quajtur Fatos Nano LSI-në e Ilir Metës, kur u themelua, atë shtator të vitit 2004

31- Një tjetër thënie e famshme e Fatos Nanos është përshkrimi që i bënte historisë së vendit tone me një fjali të vetme. “Ne kemi kaluar nëpër çdo gjë si komb – copëtim, diktaturë, madje dhe anarki”, ka deklaruar Nano.

32- Fatos Nano ishte një nga figurat kryesore të intelektualëve që u thirr në takimin e famshëm të Presidentit Ramiz Alia me inteligjencën në gusht të vitit 1990. Së bashku me të ishin Sali Berisha e shumë të tjerë që përbënë bërthamën e politikës në 25 vitet e fundit.

33- Në moshën 39-vjeçare, Nano do të marrë një nga postet më të rëndësishme në qeverinë e Adil Çarçanit. Emërohet zëvendëskryeministër për reformat në ekonomi. Ylli politik i Fatos Nanos nis të shkëlqejë që në momentet e para. Në shkurt të vitit 1991, Nano emërohet nga Partia e Punës si kryeministër. Një nga arsyet që Nano depërtoi në qendër të pushtetit në një kohë shumë të shkurtër, ishte fakti që vendi po ndërmerrte reforma shumëplanëshe. Vetëm një politikan që nuk kishte qenë funksionar i mëparshëm mund ti bënte.

34- Në 31 mars 1991, qeveria Nano arrin të zhvillojë zgjedhje normale dhe pa incidente serioze. Fatos Nano zgjidhet deputet në një nga zonat elektorale të Tiranës dhe merr mandatin e dytë si kryeministër, përsëri nga Partia e Punës.

35- Dorëheqja e parë si kryeministër u bë në maj të vitit 1991. Kundërshtimi i opozitës për legjitimitetin e pushtetit, grevat e punëtorëve në vend dhe gjendja e rënduar ekonomike në vend bënë që Nano të jepte dorëheqjen për t’u krijuar Qeveria e Stabilitetit që u drejtua nga Ylli Bufi.

36- Fatos Nano është kryetari i parë i Partisë Socialiste. Në Kongresin e 10-të të PPSH-së, Nano mori drejtimin e partisë më të madhe në vend, duke shënuar ndarjen e partisë që drejtoi regjimin komunist dhe zëvendësimin jo vetëm me një emër tjetër, por edhe me një tjetër frymë.

37- Ishte politikani i parë që vendosi kontaktet me partitë e tjera të majta evropiane që i dhanë njohjen PS-së në rajon e më tej. Nano bashkëpunoi me Beneto Kraksin e të majtës italiane, Andrea Papandreun e PASOK-ut grek, etj.

38- Takimi i parë i Fatos Nanos me kundërshtarin e tij më të madh, Sali Berisha, sipas dëshmive të të dy palëve, ka ndodhur më 1990 në ambientet e redaksisë “Zëri i Popullit”, ku diskutuan për një shkrim që ishte botuar.

39- Është politikani i parë që ka njohur rezultatin e zgjedhjeve në vend fill pas daljes së rezultateve. Në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992, Nano pranoi humbjen dhe daljen në opozitë të PS-së. Në këto zgjedhje, Nano fitoi mandatin e deputetit në Kuçovë.

40- Takimi që i ka dhënë më shumë pikë Fatos Nanos, ka qenë ai me presidentin amerikan Bill Klinton. Gjatë mandatit të parë në krye të qeverisë arriti të shkëlqente në marrëdhëniet ndërkombëtare duke sjell një bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

41- Vizita më e rëndësishme e Fatos Nanos jashtë vendit është ajo në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, në vitin 2004 dhe takimi me Presidentin Xhorxh Bush. Vizita u bë në kuadër të anëtarësimit të vendeve të reja në NATO. Gjatë takimit doli edhe një detaj interesant, Bush theu protokollin duke e zgjatur takimin me Nanon më shumë sesa koha e programuar. Siç duket kryeministri shqiptar e bëri për vete me batutat e tij liderin amerikan.

42- Pas humbjes së zgjedhjeve nga Partia Socialiste në 3 korrik 2005, Fatos Nano jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit. U vlerësua për rotacionin paqësor të pushtetit.

43- Pas dorëheqjes së kryeministër i vendit, në shtator 2005, Fatos Nano jep dorëheqjen edhe si kryetar i Partisë Socialiste. Me këtë veprim, Fatos Nano futi një akt civilues në politikën shqiptare, që kryetari që humbet zgjedhjet largohet, veprim ky që nuk është përsëritur nga liderët e tjerë politikë. Sali Berisha e bëri këtë veprim kur humbi zgjedhjet e vitit 2013.

44- Fatos Nano është duhanpirës që nga vitet e para të adoleshencës. Cigaret e preferuara për të janë puro kubaneze dhe cigaret me filtër “Marlboro”. Në shumicën e takimeve dhe daljeve publike, në dorën e tij të majtë do të ishte pothuajse gjithnjë një cigare. Fatos Nano nuk është vetëm një i pasionuar pas muzikës, por edhe një njeri që në adoleshencë ka kënduar. Në intervistat e tij ka pohuar se grupi i tij i preferuar muzikor ishin “Bitëllsat”. Këngët e këtij grupi i këndonte fshehurazi nën shoqërinë e miqve.

45- Është politikani i parë që u pa të ndiqte ndeshjet e Kombëtares. Pothuajse ka marrë pjesë në të gjitha ndeshjet më të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Edhe pasi u largua nga politika. Nano është një i apasionuar i madh i futbollitNë Shqipëri bën tifo me “Partizanin”, ndërsa në Itali me Interin, ndërkohë që është edhe tifoz i Italisë.

46- Është një nga politikanët që ka një raport të veçantë me pijen. Padyshim që njohja që ka ai për verën dhe xhinin, por edhe shumë pije të tjera alkoolike futen në kulturën e tij gjenerale. Pija e tij e preferuar “Xhini” i shoqëruar me tonik.

47- Më 17 gusht të vitit 2003, Fatos Nano kryen një operacion të planifikuar në tëmth. Operacioni u bë pas disa shqetësimeve shëndetësore të Nanos të përsëritura që nga viti 1996. Ky ishte operacioni i dytë i Nanos, pasi po në vitin 2003 bëri një ndërhyrje estetike në sy.

48- Më 19 shtator të vitit 2007, Nano anononçoi themelimin e Lëvizjes për Solidaritet dhe Politikë Institucionale në PS. Në këtë lëvizje, Nanos iu bashkuan plot 14 deputetë socialistë. Por me kalimin e muajve, Nano pak nga pak e la në hije nismën, duke bërë që kjo lëvizje të shuhej. Ndërsa Edi Rama vendosi të hakmerrej ndaj mbështetësve të Nanos, duke i lënë jashtë listave të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

49- Ëndrra më e madhe politike ka mbetur Pallati i Brigadave. Më 8 korrik 2007, Fatos Nano hyn zyrtarisht në garën presidenciale. Por Partia Socialiste nuk e mbështeti ish-kryetarin e saj. Për tu hakmarrë ndaj mosmbështetjes së Ramës, 6 deputetë socialistë, mbështetës të Nanos, ia dhanë votat Bamir Topit. Në 20 gusht, Bamir Topi zgjidhet president me votat e Nanos, ndërsa Shqipëria arrin të shmangë zgjedhjet e parakohshme.

50- Fatos Nano prej vitesh i është larguar jetës politike në vend. Numërohen me gishtat e dorës deklaratat e tij të rralla politike gjatë kohëve të fundit. Nano bën një jetë mes Vjenës dhe Tiranës, dhe pse është një personazh mjaft i kërkuar nga mediat, rrallëherë është kapur nga paparacët.